U mbajt takimi i tretë i këshillit për siguri në komunikacionin rrugor
Prishtinë, 15 dhjetor 2015
Në Ministrinë e Infrastrukturës sot u mbajt takimi i tretë i Këshillit për Siguri në Komunikacionin Rrugor, në të cilin morën pjesë kryesuesi i Këshillit, ministri i Infrastrukturës, z. Lutfi Zharku, Valdet Hoxha zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Izet Sadiku - zv. ministër në Ministrinë e Shëndetësisë, Nusret Hoxha - zv. ministër në Ministrinë e Drejtësisë, Sheremet Ahmeti - drejtor i divizionit të Policisë Rrugore të Kosovës, Behxhet Musliu - këshilltar politik i kryeministrit, Agim Dibrani - këshilltar në Ministrinë e Financave, Petrit Kelmendi - këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Leonora Krasniqi-Gashi dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës: Adem Krasniqi, Valmire Maloku, Fidan Rekaliu, Xhemë Veseli dhe Skender Gashi.
Në këtë takim u diskutua për gjendjen e sigurisë rrugore, në kuadër të së cilës ministri Zharku paraqiti raportin e aksidenteve të komunikacionit në periudhën janar nëntor 2015, nga i cili shihet se në këtë periudhë numri i aksidenteve në komunikacionin rrugor ka pësuar rritje në krahasim me periudhën e njejtë të vitit 2014 për 8.0%. Poashtu, krahasuar me vitin 2014 rritje ka shënuar edhe numri i aksidenteve fatale për 6.93%, që ka rezultuar me rritjen e numrit të të vdekurve për 2.56 % dhe të të lënduarve për 9.31 % krahasuar me përiudhën janar nëntor 2014. Gjithashtu u përmendën edhe aksidentet sipas kategorive të rrugëve dhe faktorët kontribues të aksidenteve.
Gjatë diskutimeve për raportin, nga anëtarët pjesëmarrës u përmend edhe fakti se Kosova, bazuar në raportin midis numrit të popullsisë dhe numrit të aksidenteve qëndron më mirë krahasuar me vendet e rajonit. Gjithashtu, u fol edhe për masat që janë ndërmarrë dhe që duhet të ndërmerren me qëllim të ngritjes së shkallës së sigurisë në trafik, si dhe për Strategjinë e Sigurisë Rrugore, e cila është aprovuar në shtator 2015 dhe e cila hap shteg për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme për ngritjen e shkallës së sigurisë në komunikacionin rrugor në vendin tonë.
Nga ky Këshill u propozua krijimi i dy grupeve punuese, të cilat do të bëjnë evidentimin e pikave të zeza në trafik.