U hapën ofertat për projektin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit

Sot, në Ministrinë e Infrastrukturës u bë hapja e ofertave, për projektin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Të interesuar për ndërtimin e kësaj autostrade, janë shprehur të gatshëm dy konzorciumet ndërkombëtare: “Bechtel & Enka” (SHBA-Turqi), si dhe konzorciumi CMC-Dogus-(Turqi-Itali).

Në konferencën e mbajtur me media, ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, hapjen e ofertave për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit e quajti si moment të rëndësishëm për vendin tonë.

Me këtë rast ministri Mujota theksoi:” Tashmë kemi kaluar një proces të gjatë të vendimit të Qeverisë, nga 12 qershor 2012, dhe një periudhë mbi një vit e zhvillimit të proceseve për ndërtimin e rrugës 6. Kemi pasur një proces transparent, konkurrues duke rezultuar me një parakualifikim të suksesshëm, për këtë projekt. Në kuadër të parakualifikimit kishin fituar të drejtën të hyjnë në garë tri konsorciume, të rëndësishme: CMC Dogush, Bechte & Enka dhe Shtrabak. Nga kompania Shtrabak kemi pasur një kërkesë për shtyrje të afatit deri më sot, i cili afat ishte miratuar nga Komiteti Drejtues Ndërministror, dhe sot ishte koha për dorëzimin e ofertave nga ana e operatorëve ekonomik”

Sot mund ta njoftojmë publikun se procesi ka pasur plotësisht sukses, meqë nga tre operatorët e parakualifikuar dy prej tyre sot kanë dorëzuar ofertat e tyre, tha ministri Mujota.

Procesi i vlerësimit të këtyre ofertave, sipas afatit ligjor mund të zgjatë deri në 30 ditë.  

 

 

Foto Galeria

Video Galeria