Rrëshqitja e gurëve në Shukovc të Mitrovicës pengon zhvillimin normal të komunikacionit
Për shkak të gërmimeve të paligjshme dhe reshjeve të fundit të shiut, në Shukovc të Mitrovicës është shkaktuar rrëshqitja e gurëve, që ka shkaktuar pengesa në zhvillimin normal të trafikut.
Kompania për mirëmbajtjen e rrugës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe në bashkëpunim me policinë ka bllokuar aksin rrugor Mitrovicë-Jarinjë që nga ora 19:00 e natës së mbrëmshe deri sot në orën 09:00 të paradites.
Pas intervenimit të kompanisë, njëra korsi është e lirë për komunikacion nga ora 09, ndërsa është duke u punuar për lirimin e plotë të rrugës.
Nga kompania është kërkuar që pas lirimin e rrugës të vendosen shenjat për kufizimin e shpejtësisë, ngushtim të rrugës dhe për përparësi kalimi.
Përveç masave të ndërmarra, parasihet që të vendosen muret mbrojtëse të betonit (nju xhersi) në një gjatësi prej 25 metrash.