Reagim ndaj Gazetës “Zëriâ€Â
Sipas raporteve nga Departamenti i Automjeteve dhe Njësia e Patentë Shoferëve për zhvillimet kundërligjore dhe shqetësuese në të gjitha qendrat e patentë shoferëve që kanë të bëjnë me intervenime, daljen në publik të çelësit të testeve, ndërhyrjet e paligjshme nga persona të caktuar, mitmarrje, korrupsion dhe arrestime të vazhdueshme të ekzaminierëve nga Policia e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës ka ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e këtyre dukurive.
Si rezultat i këtyre keqpërdorimeve, kalueshmëria e kandidatëve për patentë shofer në nivel vendi ishte mbi 80% në masë të madhe pa dijen dhe shkathtësitë e nevojshme, gjë që ka ndikuar në rrezikimin e sigurisë dhe jetës së njerëzve në komunikacion.
Sipas obligimeve dhe përgjegjësive ligjore me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive negative, si masë konkrete Sekretari i Përgjithshëm i MI-së ka nxjerrë vendimin për themelimin e komisionit për përpilimin e testeve të reja për dhënien e provimit për shofer dhe shofer instruktor.
Për shkak të zvarritjeve të procedurave të prokurimit dhe anulimit të tenderit për shtypjen e testeve dy herë radhazi nga Departamenti i Prokurimit (për çka vetëm ata mund ta dinë pse ka ndodhur), ministria është detyruar të bëjë zgjidhje të përkohshme për të siguruar shërbimet e domosdoshme ndaj kandidatëve për patentë shofer, në të kundërtën, alternativë do të ishte ndërprerja e plotë e shërbimeve ndaj kandidatëve.
Të ndodhur në këtë situatë, komisioni ka vendosur që të bëjë zgjidhje të domosdoshme deri në përzgjedhjen e kompanisë për shtypjen e testeve, duke angazhuar një kompani tjetër në mirëbesim e konfidencë.
I gjithë shërbimi nga kjo kompani arrin shumën rreth 400€. Për këtë shërbim dhe angazhim të kësaj kompanie pronari nuk është kompensuar me asnjë centë. Pra shpërblimi për mikun ishte zero (0) cent! Nëse ka shpërblim zero, atëherë pajtohemi me shkrimin në Gazetën Zëri! Për këtë fakt mirëpresim angazhimin e organeve kompetente që ta vërtetojnë në tërësi këtë çështje.
Për informimin tuaj dhe të opinionit publik, si rezultat i këtyre veprimeve, kalueshmëria e kandidatëve në nivel vendi ka rënë nga 80% sa ishte më parë, në rreth 30%! Kjo më së miri e dëshmon gjendjen reale të përgatitjes së kandidatëve dhe nivelin e keqpërdorimeve të mëdha që kanë ekzistuar deri më tani. Këto masa dikujt i kanë penguar brenda dhe jashtë ministrisë dhe njerëzit e “goditur” nga veprimet tona, të ndodhur pa alternativë, me gjasë kanë dërguar letra anonime në polici dhe për ne nuk është e papritshme të ketë ndodhur një reagim i tillë.
Ne i inkurajojmë organet kompetente dhe u ofrojmë bashkëpunimin tonë të plotë në zbardhjen e këtij rasti deri në fund.
Shpresojmë se në prezantimet tuaja do të jeni objektiv dhe nuk do të bëheni mbrojtës të së keqes me apo pa qëllim. Pavarësisht publikimeve tendencioze dhe me qëllime të caktuara, jemi të vendosur që me përkushtim dhe përgjegjësi t’i përmbushim obligimet dhe detyrat tona ligjore dhe institucionale.