Raporti ditor i gjendjes së auto-udhëve, rrugëve rajonale dhe nacionale të Kosovës
16 dhjetor 2020
Ministria e Infrastrukturës po vazhdon punën me aktivitetet e saja në kuadër të mirëmbajtjes dimërore të autoudhëve, rrugëve rajonale dhe atyre nacionale në baza ditore, me ç’rast informon se:
-Në rajonin Prishtina 1 dhe 2 rrugët janë kryesisht të kalueshme dhe pa borë, përfshirë disa intervenime me kripë dhe rërë në rrugët N9 Prishtinë-Mutidovë, N2 Prishtinë-Llugaxhi, N2 Prishtinë-Milloshevë, N25 QMI-Carralevë, N25.2 Veternik-Llabjan, R220 Shkabaj-Obiliq dhe R102 Komoran-Carralevë (segmenti Shalë-Carralevë), shkaku i temperaturave nën zero (-0) dhe krijimit të ngricave mbi shtresën qarkulluese.
-Infrastruktura rrugore e rajonit të Pejës është krejtësisht e lirë për qarkullim.
-Edhe infrastruktura rrugore e rajonit të Ferizajt është në gjendje normale dhe e lirë për qarkullim.
-Rrugët po vazhdojnë të mirëmbahen edhe në rajonin e Prizrenit, ku po bëhet shpërndarja e kripës në drejtimin Suharekë-Carralevë, si preventivë ndaj krijimit të ngricave mbi shtresën qarkulluese.
-Në rajonin e Gjilanit gjendja e rrugëve është e mirë dhe pa ndonjë pengesë eventuale.
-Rrugët janë krejtësisht të lira për qarkullim edhe në rajonin e Gjakovës, pa ndonjë intervenim shtesë, përveç mbikëqyrjes rutinore.
Kurse sa u përket autoudhëve, MI informon se kripë dhe rërë po shpërndahet në autoudhën R6 Doganaj-Hani i Elezit, me qëllim të ruajtjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të pengesave të cilat mund të hasen gjatë procesit të qarkullimit të automjeteve, shkaku i lagështisë së krijuar mbi shtresën qarkulluese.
Përndryshe, të gjitha autoudhët në Republikën e Kosovës janë krejtësisht të lira për qarkullim.
Ministria e Infrastrukturës po u kushton rëndësi të veçantë mirëmbajtjes dimërore të rrugëve dhe si e tillë, do të iu mbajë të informuar gjatë tërë sezonës dimërore.