Projekti final për autostradën Kijevë – Zahaq është gati për implementim
Prishtinë, 28 shkurt 2019
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të enjten njoftoi për përfundimin e projektit final të autostradës Kijevë- Zahaq.
Me këtë rast, Lekaj tha se për këtë projekt gjigant të përmbledhur në 240 dosje që përmbajnë të dhënat e detajuara për këtë autostradë, elaboratet shpronësuese e lejen mjedisore, brenda dy ditësh do të hapet edhe tenderi për përzgjedhjen e punëkryesit e saj.
Me përfundim të procedurave tenderuese, punët në teren për realizimin e autostradës Kijevë – Zahaq, sipas kreut të MIT, pritet të fillojnë brenda dy muajsh.
Në këtë paraqitje për medie, sekretari permanent të MIT, Betim Reçica, njësitet mbikëqyrëse dhe ai i konsulencës se Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhanë edhe detajet e projektit.
Punët në autostradën rreth 32 kilometërshe do të kryhen të ndara në 3 Lote dhe ajo do të përmbajë të gjitha paramasat e sigurisë, ndriçimin dhe elementet e tjera të autostradave të niveleve evropiane.
Kosto e saj është rreth 238 milionë euro dhe mjetet për realizimin e saj janë siguruar me kredinë e BERZH-it.
Është paraparë të përfundoj për 36 muaj, por kjo varet nga plani dinamik që do të paraqes kompania për kryerjen e punimeve pas përzgjedhjes në procedurat tenderuese.