Prezantohet studimi i fizibilitetit për vazhdimin e Rrugës 7, autostradës “Ibrahim Rugova”

Prishtinë,  5 tetor 2016

 

Ministria e Infrastrukturës prezantoi të arriturat dhe të gjeturat gjithëpërfshirëse të studimit të fizibilitetit për vazhdimin e Rrugës 7, autostradës “Ibrahim Rugova” në segmentin Prishtinë-Merdar. 

 

Në fjalën hyrëse, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, theksoi:  “Kemi kënaqësinë që sot po bëjmë prezantimin e parë të një rruge të rëndësisë së posaçme për ne, vazhdimin e segmentit Besi-Merdar të autostradës “Ibrahim Rugova”. Rëndësia e kësaj rruge është se me përfundimin e këtij segmenti do të bëhet i mundur shfrytëzimi më i madh i autostradës aktuale “Ibrahim Rugova”. 

 

Kjo pjesë e autostradës do të vazhdojë edhe në Serbi, Merdar-Nish. Kompletimi i autostradës deri në Nish do të lidhë të gjithë Evropën Juglindore, e në veçanti Evropën Lindore prej Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë dhe deri në Shqipëri, në detin Adriatik. Në vizitën tonë me presidentin Thaqi në Tiranë është theksuar dhe është vlerësuar rëndësia e kësaj pjese të rrugës, për përfundimin sa më të shpejtë të së cilës kemi marrë përkrahje të plotë. Më lejoni që, me këtë rast, të falënderojë Bashkimi Evropian për përkrahjen me grantet e tyre për përfundimin e disa projekteve që kemi dhe, natyrisht, dy partnerët kryesorë në financimin e projekteve insfrastrukturore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Investive Evropiane. Siç e dini, BERZH dhe BIE po na ndihmojnë në financimin për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, Leshak-Hani i Elezit, me një hua prej rreth 40 milionë eurosh. Në anën tjetër kemi grantin nga Bashkimi Evropian prej 80 milionë eurosh për përfundimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10. Përpos kësaj, ju e dini se ne po vazhdojmë procedurat dhe besojmë se deri në fund të vitit të ardhshëm do ta nënshkruajmë marrëveshjen për rrugën Kijevë-Pejë, një rrugë plotësisht e re, me ndihmën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Investive Evropiane. Kjo rrugë do të ketë një ndikim jashtëzakonisht të  madh në shkarkimin e komunikacionit nga rruga aktuale, që do të ndikojë në zvogëlimin e numrit të aksidenteve, rritjen e sigurisë dhe kursimin e kohës. Ne presim që gjatë vitit të ardhshëm të fillojmë edhe me autostradën Prishtinë-Gjilan, një pjesë të së cilës presim që do ta realizojmë me ndihmën e partnerëve tanë. Më lejoni që të falënderoj ekipin që ka punuar në studimin e fizibilitetit. Jam shumë i kënaqur që studimi i fizibilitetit është pozitiv, me një normë të kthimit që vlerësohet në 16% e që siguron kthim të mjeteve të kësaj rruge dhe të investimeve tona”, tha në fund ministri Zharku.  

 

Ky studimi i fizibilitetit është financuar nga Bashkimi Evropian. 

 



 

Foto Galeria

Video Galeria