Përurohet pjesa e parë e Autostradës “Arbër Xhaferi”

31 dhjetor 2016

Është përuruar përfundimi i segmentit të parë të Autostradës “Arbër Xhaferi” nga  kyqja e saj me autostradën “Ibrahim Rugova” deri në Babush, në gjatësi prej 20 kilometrash.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaqi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ambasadorë dhe zëvendësambasadorë të huaj në Kosovë, ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash dhe deputetë.

Kryeministri Mustafa falënderoi të pranishmit në këtë ceremoni duke e vlerësuar lartë inaugurimin e kësaj pjese të autostradës, si një segment shumë i rëndësishëm.

Presidenti Thaqi dhe kryeparlamentari Veseli, po ashtu, falënderuan të pranishmit për pjesëmarrje dhe uruan qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë projekt infrastrukturor, me të cilin do të mundësohet qarkullimi më i mirë i njerëzve dhe mallrave duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërsa ministri Zharku u shpreh i kënaqur që këtë vit po e përmbyllim me përurimin e një projekti të madh infrastrukturor duke synuar që përmes investimeve në Infrastrukturë të arrihet zvogëlimi i shpenzimeve të transportit, rritja e sigurisë rrugore, zhvillimi i rrjetit rrugor, ulja e ngulfatjeve të rrjetit rrugor dhe reduktimi i kohës së udhëtimit, që do të kenë ndikim direkt në rritjen ekonomike të vendit tonë.
“Ministria e Infrastrukturës është duke vazhduar me përgatitjet e projekteve tjera strategjike  infrastrukturore,  ku përfshihet  përfundimi i autostradës  “Ibrahim Rugova”, segmenti i mbetur  Besi  – Merdare që do të financohet nga institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Investive Evropiane me përkrahje edhe të Komisionit Evropian. Në muajt e parë të vitit 2017 do të lidhet marrëveshja për huanë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndërtimin  e rrugës së re, Kijevë – Pejë me një gjatësi prej 32 kilometrash. Poashtu, në javët e para të vitit të ri do të fillojnë procedurat e tenderimit për zgjerimin e rrugëve hyrëse/dalëse për Prizren, Ferizaj dhe Gjilan, që do të financohen me huanë prej 29 milionë eurosh nga BERZh-i.  
Në kuadër të përmirësimit të rrjetit të brendshëm rrugor që përfshinë rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugëve nacionale dhe rajonale do të vazhdohen projektet e zgjerimit të rrugëve nacionale, Prishtinë – Pejë në segmentet Arllat – Kijevë dhe Zahaq - Pejë, zgjerimi i rrugës Milloshevë – Mitrovicë përmes huamarrjes dhe financimit direkt nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe zgjerimi i rrugës nacionale nga rrethrrotullimi në Besi deri në Podujevë, segmenti i parë i së cilës filloi në verën e këtij viti.
Në buxhetin e vitit 2017 është përfshirë fillimi i punimeve në segmentin e parë të autostradës, Prishtinë – Gjilan.
Objektiv i Ministrisë së Infrastrukturës është që vendi ynë të bëhet vend i paevitueshëm për trafikun Tranzit për të gjithë Evropën Juglindore”, theksoi ministri Zharku duke i falënderuar të pranishmit për prezencë në këtë ceremoni.

Segmenti i parë Autostradës “Arbër Xhaferi është projektuar sipas standardeve Trans Evropiane për autostrada, me shpejtësi kufizuese prej 120 Km/h.
Përgjatë këtij segmenti janë përfshirë dy nyje lidhëse, në Konjuh që është edhe lidhja me rrugën nacionale, Lipjan – Shtime, dhe në Babush, lidhja me rrugën nacionale Prishtinë – Hani i Elezit. Janë  të ndërtuara 8 mbikalime dhe 7 nënkalime  si dhe rrugë paralele, me qëllim të lëvizjes së papenguar të qytetarëve të zonave përreth autostradës.
Projekti  i ndërtimit të Autostradës është duke vazhduar në segmentin Babush - Ferizaj, deri në kyqjen në Bibaj, kyqjen në Doganaj dhe në disa pjesë të segmentit të fundit afër Kaçanikut.
Në bazë të planit dinamik, deri në fund të vitit 2017 pritet që këto dy nyje lidhëse të përfundojnë dhe të hapen për qarkullim, 42 Km të Autostradës.
Përfundimi i kësaj pjese do të shkurtojë në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe do të shkarkojë rrjetin ekzistues rrugor nga ngarkesat e trafikut.
 

Foto Galeria

Video Galeria