Përurohen dy projekte rrugore në komunën e Mitrovicës
24 shtator 2016
Sot, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë, vizitoi Komunën e Mitrovicës, ku u prit nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri. Gjatë takimit u bisedua për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në rajonin e Mitrovicës dhe më gjerë, me çrast u konstatua se në saje të bashkëpunimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës do të punohet në realizimin e projekteve të reja.
Pas takimit, ministri Zharku dhe kryetari i komunës, Bahtiri, inauguruan fillimin e punimeve të asfaltimit të rrugës që lidh fshatin Koshtovë me Rrugën Nacionale N-2 dhe të rrugës Melenicë Zabërgjë.
Në fjalën e rastit ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, deklaroi: Jemi sot në Mitrovicë me kryetarin, nënkryetarin dhe strukturat e tjera komunale për të vizituar punimet që i kemi filluar. Një ndër to është projekti për lidhjen e fshatit Koshtovë me magjistralen N2. Ky është një investim i Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë rreth 200 mijë eurosh. Përveҫ kësaj, ne kemi filluar edhe me një projekt jashtëzakonisht të madh, rrugën Melenicë-Zhabërgjë në vlerë prej 700 mijë eurosh. Paralelisht me këtë, me rishikimin buxhetor i kemi planifikuar edhe dy rrugë të reja, të cilat i kemi përfshirë, rrugët Bare-Gumnishtë dhe Kҫiҫ i Vogël. Gjatë këtij viti, me kryetarin kemi nënshkruar një memorandum tjetër të mirëkuptimit për financimin edhe të tri rrugëve të tjera, rrugës Rifat Dedija, shtrimin e trotuareve në qytetin e Mitrovicës dhe asfaltimin e rrugës në fshatin Vërnicë. Të gjitha këto projekte në vlerë prej 2 milionë eurosh do të përfundohen gjatë këtij viti, ndërsa pjesa tjetër vitin e ardhshëm. Ne jemi të interesuar që ta përkrahim komunën e Mitrovicës në realizimin e shumë projekteve të tyre duke e parë si një nga komunat me nevoja të mëdha të infrastrukturës rrugore. Komuna e Mitrovicës do të ketë përkrahjen e Qeverisë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, falënderoi ministrin Zharku dhe Ministrinë e Infrastrukturës për përkrahjen e zhvillimit të infrastrukturës rrugore në komunën e Mitrovicës.
Është kënaqësi ta kemi në mesin tonë ministrin e infrastrukturës, Lutfi Zharkun, i cili na ka mbështetur në realizimin e projekteve tona të infrastrukturës rrugore. Ne kemi ende nevojë për investime në këtë fushë. E falënderojmë shumë ministrin Zharku, i cili po vazhdon të na mbështesë, theksoi kryetari Bahtiri.
Asfaltimi i rrugës Melenicë Zabërgjë, që ka një gjatësi prej 6.6 kilometrash, ndërsa asfaltimi i rrugës që lidh fshatin Koshtovë me rrugën Nacionale N-2 ka gjatësi prej 1.7 kilometrash.
Realizimi i këtyre projekte do të investohet në tërësi nga Ministria e Infrastrukturës.