NJOFTIM PËR MEDIA
Prishtinë, 14 korrik 2015
Sot ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, në ceremoninë mediale së bashku me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ministrin e Shëndetësisë Imet Rrahmani, me drejtorin ekzekutiv të Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu dhe me udhëheqësin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Mursel Rraci, nënshkruan një marrëveshje, për monitorim të shpenzimit të parave publike në tenderët e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve nga ana e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), të bindur se një monitorim i tillë do t’i kontribuojë përmirësimit të sistemit të brendshëm në fushën e prokurimit dhe se do t’u ndihmojë taksapaguesve kosovarë dhe vetë Ministrisë.
Ambasadori Ruairí O’Connell tha se sistemi i dobët i prokurimit dëmton shumë procese, siç është edhe përfshirja e investitorëve të huaj, ndërsa një prokurim i mirë forcon ligjin për një Kosovë stabile integruese. Shoqëria civile, duke qenë e pavarur, mund të ketë rol përkrahës në këtë proces. Kjo është në interes të të gjitha ministrive, sepse mundëson transparencë dhe tha se beson që ky projekt do të jetë i suksesshëm.
Ministri Zharku falënderoi Ambasadorin O’Connell për përkrahjen dhe ndihmën e Ambasadës së Britanisë së Madhe për vendin tonë dhe tha se me këtë projekt do të nisë transparenca e menaxhimit të parasë publike. Vetë projekti si iniciativë është domethënës që ndihmon si në fushën e prokurimit, po ashtu edhe në zbatimin e përpiktë të ligjit në këtë fushë.
Pas përfundimit te ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, u mbajt një konferencë për media.