Ndërtimi i rrugës nacionale N23, që lidh Prizrenin me Autostradën Ibrahim Rugova
Prizren, 24 dhjetor 2015
Zëvendësministrat e Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe Hanefi Muharremi, së bashku me kryetarin e Komunës së Prizrenit Ramadan Muja me bashkëpunëtorë, përuruan sot rrugën nacionale N23 në Hoqë të Qytetit, e cila lidh Prizrenin me Autostradën Ibrahim Rugova.
Ndërtimi i kësaj rruge, që ka një gjatësi prej 1.22 kilometrash, ka filluar në fund të vitit të kaluar, ndërsa vlera e kontratës për ndërtimin e saj ka kushtuar 1.251.586.43. Realizimin e këtij projekti rrugor të një rëndësie të veçantë e ka financuar Ministria e Infrastrukturës.
Në fjalët e tyre përuruese, zëvendësministrat folën për rëndësinë e këtij projekti të infrastrukturës rrugore dhe për rëndësinë e tij për qytetarët e rajonit të Prizrenit dhe të qendrave të tjera përreth.
Me lidhjen e Prizrenit me Autostradën Ibrahim Rugova krijohen parakushte për një zhvillim më të hovshëm ekonomik të kësaj ane, por njëkohësisht u mundësohet qytetarëve, përmes autostradës, lidhja më e shpejtë me bregdetin shqiptar.