Ministri Zharku takoi ambasadorin e Kroacisë në Kosovë, krerët e Odës Ekonomike të Kroacisë dhe ata të Odës Ekonomike të Kosovës
Sot ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, priti në një takim ambasadorin e Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, kryetarin e Odës Ekonomike të Kroacisë Luka Buriloviq (Luka Burilović), nënkryetarin për punë të jashtme dhe BE Zhelimir Kramariq (elimir Kramarić), si dhe kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Ambasadori Vodopija gjatë bisedës shprehu interesimin për bashkëpunim me kompanitë kroate, të cilat janë të interesuara për të investuar në projekte të ndryshme, veçmas në fushën e infrastrukturës, por edhe në fushat tjera, që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të të dy vendeve.
Nga ana tjetër, ministri Zharku njoftoi mysafirët me projektet infrastrukturore madhore, të cilat Ministria e Infrastrukturës është duke i realizuar aktualisht, si autostradën Prishtinë - Shkup, magjistralen Prishtinë - Mitrovicë, rrugën Prishtinë - Pejë, pastaj rehabilitimin e linjës hekurudhore Leshak - Hani i Elezit etj. Gjatë bisedës, ministri Zharku i informoi mysafirët edhe për çështje tjera, që janë në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës, që i shërbejnë zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit.
Gjatë takimit u fol edhe për Forumin e përbashkët ekonomik, i cili prej dje është duke u mbajtur në Prishtinë, në të cilin marrin pjesë mbi 30 kompani kroate dhe më shume se 50 kompani kosovare. Njëkohësisht, përfaqësueseve të kompanive kroate, që marrin pjesë në këtë forum, në Ministrinë e Infrastrukturës iu prezantuan projektet aktuale, të cilat është duke i realizuar Ministria e po ashtu edhe ato të cilat priten të realizohen në të ardhmen. Krerët e odave ekonomike kroate dhe kosovare theksuan se një forum si ky i Prishtinës, forcon bashkëpunimin ekonomik, por njëkohësisht ndihmon edhe Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.