Ministri Zharku me bashkëpunëtorë vizitoi rrugën në Gjeravicë të Junikut
Prishtinë,19 gusht 2015
Sot ministri i Infrastrukturës , Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë dhe me kryetarin e Komunës së Junikut , Agron Kuçi, vizituan rrugën në Bjeshkën e Gjeravicës së Junikut.
Kryetari i Komunës, Kuçi, e njoftoi ministrin Zharku për zhvillimin e këtij rajoni dhe me atë rast theksoi se bujqësia dhe turizmi janë pikat kryesore për zhvillimin e kësaj zone dhe se në planet zhvillimore të këtyre fushave duhet të investohet në infrastrukturë, si një nga parakushtet e zhvillimit të rajonit.
Ndërkaq, sa i përket rrugës së Gjeravicës, ai tha se me ndihmën e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës rruga 46-kilometërshe është zgjeruar në gjatësi prej 7.35 kilometrash.
Ministri Zharku tha se është i njoftuar për zhvillimet dhe problemet, në të cilat hasë zhvillimi ekonomik i kësaj zone dhe se do të shihet se çka mund të bëhet në fazën e dytë të realizimit të projekteve të infrastrukturës rrugore në komunën e Junikut dhe më gjerë.