Ministri Zharku: Kosova dhe Shqipëria të rrisin bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë dhe transportit
Prishtinë, 22 dhjetor 2016
Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku mori pjesë në konferencën e katër të ambasadorëve e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Ministri Zharku foli lidhur me Partneritetin strategjik Kosovë Shqipëri dhe zhvillimin ekonomik në sektorin e energjisë dhe transportit.
Në vijim mund të lexoni fjalimin e ministrit Zharku:
Më lejoni që në fillim të përshëndes MPJ-në, për përfshirjen e çështjes së Partneritetit, Kosovë Shqipëri, për trajtim në këtë konferencë e cila ngadalë po krijon identitetin e saj dhe tanimë siç shihet edhe nga pjesemarrësit gëzon respekt të veçantë.
Pothuajse çdo ditë ne politikanët shprehemi për partneritet të përhershëm strategjik me SHBA-të, Bashkimin Evropian, NATO-n në veçanti me Shqipërinë si partneritet natyror e vëllazëror. Besoj se të gjithë gëzohemi që çështja e partneritetit strategjik midis vendeve tona viteve te fundit ka filluar te konkretizohet.
Siç e dijmë, po bëhen gati 3 vite nga nënshkrimi i dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Sipas këtij dokumenti partneriteti strategjik është fokusuar në katër shtylla të rëndësishme: 1. Politika e jashtme dhe sigurisë, 2. Drejtësia dhe çështjet e brendshme, 3. Ekonomia, energjia, transporti, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit, 4. Kultura Arsimi dhe Shkenca.
Sa i përket partneritetin për shtyllën e tretë gjegjësisht ekonominë, energjinë dhe transportin, dokumenti përcakton se Qeveritë tona, angazhohen për krijimin e një klime nxitëse biznesi në një treg të integruar, në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i ekonomive plotësuese ndërmjet një strategjie afatgjatë. Në fushën e energjisë është paraparë punë intensive me partnerët për të mundësuar degëzim të TAP në Kosovë, si dhe ndërtimi i linjës ndërkufitare të tensionit të lartë të energjisë elektrike. Të dy qeveritë kanë shprehur përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë për transportin, turizmin si dhe hartimin e një marrëveshje të përbashkët për menaxhimin e ujërave.
Sot pas tri viteve mund të konfirmojmë se tanimë po ndërtohen themelet e partneritetit strategjik. Në fushën e përmirësimit të ambinetit të biznesit janë nënshkruar disa marrëveshje, të cilat heqin shumë pengesa administrative dhe nxisin rritjen e shkëmbimeve tregtare midis vendeve tona. Në fund të qershorit të këtij viti është inauguruar autostrada energjetike gjegjësisht linja e interkonjeksionit 400 kilovatë, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në gjatësi prej 241 kilometrash. Tanimë si duket po fillon ngadalë të kristalizohet edhe mundësia e degëzimit të TAP-it për në Kosovë. Në fushën e transportit është në fuqi marrëveshja e nënshkruar që nga korriku i vitit 2011. Sa i përket turizimit të gjithë jemi dëshmitarë të një rritje enorme të turistëve nga Kosova në Shqipëri, e cila për shumë qytetarë të Kosovës ka filluar të konsiderohet si shtëpi e dytë përmes blerjeve të patundshmërive të ndryshme. Në anën tjetër është shumë shpresëdhënëse edhe rritja në vazhdimësi e turistëve nga Shqipëria në Kosovë. Natyrisht, ky zhvillim i hovshshëm, qoftë i turizmit apo shkëmbimeve tregtare midis vendeve tona është arritur vetëm pas ndërtimit të rrugës së kombit gjegjësisht autostradës Ibrahim Rugova. Jam shumë i bindur se ky projekt madhor infrastrukturor është themeli i partneritetit strategjik midis vendeve tona. Besoj se të gjithë pajtohemi që në një të ardhme jo të largët ne duhet ta plotësojmë këtë vepër edhe me linjën hekurudhore Prishtinë Durrës.
Megjithatë, partneriteti strategjik nënkupton dhe kërkon shumë më tepër. Jemi në rrugë të mirë, por nevojitet intensifikim i angazhimeve tona dypalëshe si dhe konkretizim i veprimeve. Partneriteti strategjik nënkupton ndërtim të autostradave në të gjitha fushat tjera që lidhin vendet tona e jo vetëm në infrastrukturë rrugore. Përkundër përkushtimit që ekonomitë tona të plotësojnë njëra tjetrën kjo ende nuk po ndodhë. Edhe pse tashmë e kemi një rritje të shkëmbimeve tregare Kosova ende nuk e ka partner kryesor tregtar Shqipërinë. Me këtë rast, pa dyshim se edhe bizneset mbajn barrë të madhe të fajit. Bizneset e të dyja vendeve ende nuk e kanë njëra-tjetrën zgjidhje të parë. Poashtu, barrierat e ndryshme administrative nga të dyja palët ende janë prezente. Në bazë të marrëveshjës aktuale ne kemi të liberalizuar transportin bilateral por ende e kemi nën regjimin e lejeve transportin për dhe nga vendet e treta. Kemi të përcaktuar një numër simbolik të lejeve, të cilat nuk shfrytëzohen. Vitin e kaluar jemi ballafaquar me problemin e tahografëve, që do të duhej të zgjidhej përmes marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e fundit të dy qeverive. Partneriteti strategjik nënkupton përkrahjen e njëra-tjetrës për zgjidhjen e problemeve më palët e treta ku kanë ndikim e jo krijimi i vështirësive për njëra-tjetrën.
Në procesin e Berlinit të dyja vendet jemi të kyçura përmes zgjerimit të rrjetit transevropian të transportit në Ballkanin Perëndimor. Kosova po punon ngushtë me Komisionin Evropian për vazhdimin e autostradës Ibrahim Rugova nga Prishtina deri në Merdare gjegjësisht në kufirin me Serbinë. Ne besojmë se përfundimi i këtij segmenti në vendin tonë dhe vazhdimi i tij deri në Nish do të kontribuojë që vendet tona të shndërrohen në partner të paevitueshëm transporti për të gjitha vendet e Ballkanit Lindor dhe Evropës Juglindore. Aktivitetet e përbashkëta në përfundimin e këtij projekti do të forcojnë gjithnjë e më shumë partneritetin strategjik të Shqipërisë dhe Kosovës.