Ministri Zharku dhe kryetari Sfarqa përuruan tri projekte infrastrukturore në komunën e Ferizajit

21 dhjetor 2016

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, së bashku me kryetarin e Komunës së Ferizajit, Muharrem Sfarqa dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës përuruan asfaltimin e rrugëve “Besim Ndrecaj” dhe rrugës Ferizaj – Nerodime, segmenti (Ura e Islamit – Jezerc), si dhe ndërtimin e rrugës Mushtisht–Budakovë–Jezerc–Ferizaj, loti 2.

Ministri Zharku u shprehu i kënaqur me investimet e bëra në këtë komunë duke premtuar vazhdimin e projekteve të tjera infrastrukturore.
“Sot, përuruam afër 28 kilometra rrugë në komunën e Ferizajit, duke mundësuar lidhjen e dy komunave, Ferizajit dhe Suharekës, me besimin tonë të thellë se ndërtimi i këtyre rrugëve do të ndikojë në qarkullimin më të mirë të qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe në veçanti të bujqësisë në këtë zone, si një fushë mjaft e rëndësishme prioritare në dobi të rritjes së punësimit”, theksoi ministri Zharku. 

Ndërsa kryetari Sfarqa theksoi se është shumë i nderuar që komunën e Ferizajit përsëri po e viziton ministri Zharku me qëllim të përuruimit të tri projekteve infrastrukturore shumë të domosdoshme për banorët e Ferizajit.

Asfaltimi i rrugës “Besim Ndrecaj” - “kazerma e FSK-së – Epopeja e Jezercit” kap  vlerën prej 81,444.43 eurosh me një gjatësi prej 745 metrash dhe me gjerësi prej 6 metrash, ndërsa asfaltimi i rrugës Ferizaj – Nerodime, segmenti (Ura e Islamit – Jezerc) është në vlerë prej 2,029,274.48 eurosh me një gjatësi prej 6560 metrash dhe me gjerësi prej 6 metrash.
Ndërtimi i rrugës Mushtisht–Budakovë–Jezerc–Ferizaj, loti 2 kap vlerën prej 2,199,120.00 eurosh me një gjatësi prej 10 kilometrash dhe me një gjerësi prej 6,5 metrash.
Këto projekte janë financuar në tërësi nga Ministria e Infrastrukturës.
 

Foto Galeria

Video Galeria