Ministri Zharku dhe kryetari Haziri inauguruan fillimin e punimeve në zgjerimin e rrugës Livoç-Gjilan

Prishtinë, 30 maj 2017

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani inauguruan fillimin e punimeve në projektin e zgjerimit të rrugës nacionale N 25.3, segmenti Livoç-Gjilan. 
Ky projekt rrugor do të ketë një gjatësi prej 3135 metrash, gjerësi prej 20 metrash me një kosto në vlerën prej 1,946,026.15 eurosh. 

Ministri Zharku u shpreh i kënaqur me investimet që po bëhen në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Gjilan dhe uroi banorët e kësaj ane për projektet e mëdha që po realizohen gjatë këtij viti në këtë komunë.
“Kam kënaqësinë që sot jemi së bashku me kryetarin e Gjilanit në fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës nga hyrja e Gjilanit në drejtim të Ferizajit, një investim afër 2 milionë euro, një rrugë jashtëzakonisht moderne, e cila do të ndryshojë plotësisht pamjen e qytetit të Gjilanit. Në anën tjetër, në fillim të korrikut do të kemi hapjen e ofertave për zgjerimin e pjesës prej liqenit të Livoçit deri në hyrje te qytetit të Gjilanit, si dhe do të fillojnë punët në rikonstruktimin e plotë të rrugës prej Kllokotit deri në Gjilan. Gjatë kësaj jave presim që të shpallet tenderi, në përputhje me vendimet e Qeverisë dhe Komisionit Ndërministror, për autostradën e Gjilanit, segmenti i parë, prej kyçjes në autostradën për në Han të Elezit deri në Bresalc”, theksoi ministri Zharku.
Ndërsa kryetari Haziri falënderoi ministrin Zharku, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Qeverinë e Kosovës për përkushtimin e dhënë në investimin kapital të projektit për zgjerimin e rrugës prej qendrës së qytetit të Gjilanit e deri në fshatin Livoç dhe shumë projekteve të tjera në Gjilan.
“Projekti i zgjerimit të rrugës Livoç-Gjilan do të ketë katër korsi, zonën e gjelbërt, infrastrukturën përcjellëse nëntokësore dhe ndriçimin publik, për të evituar çdo pengesë gjatë qarkullimit të qytetarëve. Investimet do të vazhdojnë në koridorin e dytë Gjilan-Prishtinë që fillon te tuneli i rrugës së Prishtinës deri te liqeni i Livoçit të Epërm dhe natyrisht projekti më i rëndësishëm kapital, autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, theksoi kryetari Haziri.

Projektet e tjera në zhvillim të financuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Gjilanit janë:
-    Asfaltimi i rrugës “Mulla Idrizi”, në vlerë prej 105,805.20 €
-    Asfaltimi i rrugës Gjilan-Bujanovc, në vlerë prej  896,274.83 €
-    Asfaltimi i rrugëve në Dobërqan - lagjia e Muhaxherëve, në vlerë prej  94,554.93 €
-    Asfaltimi i rrugës në Doberqan, në vlerë prej  78,340.00  €
-    Asfaltimi i rrugëve në fshatin Bresalc, në vlerë prej  119,405.57 €
-    Asfaltimi i rrugëve në fshatin Cërnicë, në vlerë prej  88,549.00 €
-    Asfaltimi i rrugëve në qendër të qytetit, në vlerë prej 145,828.91 €
-    Rregullimi i trotuarit përgjatë rrugës Arbëri–Velekincë, në vlerë prej 188,188.88 €
-    Asfaltimi i rrugëve në lagjen “Arbëria” dhe “Vishnje”, në vlerë prej  335,057.91 €
-    Asfaltimi i rrugëve Ponesh-Gumnishtë, në vlerë prej  163,251.81 €
-    Asfaltimi i rrugëve në fshatin Capar, Malishevë e epërme, Malishevë e ulët dhe fshatin Pogragjë, Lot I, në vlerë prej 126,741.52 €
-    Asfaltimi i rrugëve në fshatin Capar,Malishev e epërme, Malishevë e ulët dhe fshatin Pogragjë, Lot II, në vlerë prej  83,528.82 €
-    Asfaltimi i rrugëve në fshatin Capar, Malishevë e epërme, Malishevë e ulët dhe fshatin Pogragjë,Lot III,  në vlerë prej  82,102.56 € dhe
-    Rregullimi i trotuarit dhe një segmenti të kanalizimit fekal përgjatë rrugës Lladovë-Zhegër, në vlerë prej  237,711.81 €
 

Foto Galeria

Video Galeria