Ministri Mujota po merr pjesë në konferencën e parë të ministrave të vendeve të Ballkanit
Ministri I Infrastruktures Fehmi Mujota po merr pjesë në konferencën e parë të ministrave të vendeve të Ballkanit me temën “Autostradat përmes partneritetit publiko-privat”, të organizuar nga International Finance Corporation – IFC dhe Konfederata e Zvicrës, në Motovun të Kroacisë.
Në këtë konferencë po marrin pjesë ministrat e infrastrukturës, transportit, komunikimit dhe punëve publike të Ballkanit, ku po diskutohet rreth mundësive të zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të autostradave në tërë regjionin e Ballkanit, me theks të veçantë në ndërtimin e autostradave përmes partneritetit publiko-privat.
Temat kyçe në të cilat është fokusuar konferenca janë:
• Eksperiencat e Kroacisë në ndërtimin e Autostradave përmes partneritetit publiko-privat.
• Eksperiencat në ndërtimin e Autostradave përmes partneritetit publiko-privat në Ballkan
• Strukturimi i autostradave përmes partneritetit publiko-privat në Ballkan dhe
• Financimi i autostradave në vendet e Ballkanit përmes partneritetit publiko- privat.
Në këtë konferencë, ministri Mujota prezantoi punët që janë bërë në fushën e infrastrukturës rrugore në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë ndërtimin e autostradës Vermicë –Merdarë dhe përgatitjet që janë duke u bërë për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, e cila do të filloj të ndërtohet në vitin 2013.
Në këtë konferencë, ministri Mujota i njoftoi të pranishmit për mundësinë e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës dhe interesin e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për tërheqjen e këtyre investimeve, duke iu siguruar bazën ligjore, kushtet dhe mundësitë e mira që ofron Kosova.
Gjithashtu gjatë kësaj konference, ministri Mujota pati takime të ndara me Ministrin e Transporteve dhe Punëve Publike të Republikës së Shqipërisë Sokol Olldashi si dhe dhe Ministrin e Transporteve dhe Lidhjeve të Republikës së Maqedonisë Mile Janakieski, ku u diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe këtyre dy vendeve në fushën e infrastrukturës rrugore.