Ministri Mujota përuroi fillimin e punimeve për asfaltimin e rrugës Shipashnicë-Desivojcë, prej 11 kilometrash
Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota i shoqëruar nga zëvendësi i tij Emin Krasniqi, përuroi fillimin e punimeve për asfaltimin e rrugës Shipashnicë e Epërme-Desivojcë, të komunës së Dradanës.
“Sot jemi këtu për të përgëzuar banorët e kësaj ane për fillimin e punimeve të rrugës e cila do të asfaltohet dhe e cila do të lidhë fshatrat Shipashnicë-Desivojcë dhe Tërstenë. Qeveria është e interesuar që maksimalisht të investojë në projekte për qytetarët e vet, në të gjitha zonat e vendit, dhe mbi të gjitha në zonat e thella malore, dhe zonat kufitare. Me asfaltimin e rrugëve në këto zona do të kthehet zhvillimin ekonomik, dhe do të kthejnë natyrisht prespektivën për të jetuar, në këto zona dhe për të shfrytëzuar në mënyrën më të mirë, të mundshme për të zhvilluar blegtorinë, turizmin” pohoi ministri Mujota.
Ministri Mujota poashtu tha: “Jemi të fokusuar që të zhvillojmë sa më parë të gjitha projektet që janë në zhvillim e sipër, jemi të përqëndruar në punimet të cilat po zhvillohen në rrugët nacionale, si në Rrugën e Kombit dhe në rrugët tjera. Nuk kemi lënë anash edhe projektet tjera që quhen projekte periferike, sepse tashmë të gjitha ato projekte që janë zhvilluar në gjithë Kosovën kanë dëshmuar se çdo metër e rrugëve dhe çdo investim në këtëdrejtim, është prespektivë për zhvillimin e vendit tonë”.
Asfaltimi i kësaj rruge është investim i Qeverisë së Kosovës, në vlerë prej 1 milionë e 500 mijë euro, ndërsa gjatësia e rrugës është 11 kilometra.
Këtë vit pritet që të përfundohen 3 kilometra e gjysmë, ndërsa faza tjetër e këtij pritet që të përfundohet gjatë vitit të ardhshëm.