Ministri Mujota merr pjesë në takimin vjetor të ministrave të transportit të vendeve të rajonit në Bruksel
Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, po merr pjesë në takimin e rregullt vjetor të Ministrave të Transportit të vendeve të rajonit, që po mbahet në Bruksel, organizuar nga SEETO dhe Komisioni Evropian. Në këtë takim marrin pjesë ministrat e transportit të shteteve të rajonit, z. Siim Kallas, zëvendëspresident i Komisionit Evropian për çështje të transportit, përfaqësues të institucioneve financiare, të Komisionit Evropian dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendeve të rajonit.
Në takim ministri Mujota foli për zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovës në fushën e infrastrukturës, arritjet, sfidat dhe vizionin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Qeverisë për periudhën e ardhshme.
Veç tjerash, ai theksoi përcaktimin e Qeverisë sonë dhe Ministrisë së Infrastrukturës për investimet e rëndësishme në këtë fushë, si parakusht i rëndësishëm i zhvillimit dhe modernizimit të vendit tonë në funksion të integrimit dhe plotësimit të standardeve evropiane.
Zhvillimi i infrastrukturës rrugore dhe transportit në Republikën e Kosovës, është komponent i rëndësishëm i zhvillimit të rrjetit bazik rajonal, si dhe lidhshmërisë së rrjetit rajonal me rrjetin TEN-T (Trans Europan Transport Network).
Modernizimi infrastrukturor ka ndikim pozitiv në krijimin e lehtësirave në transportin e udhëtarëve dhe mallrave në gjithë rajonin dhe në rritjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, theksoi ministri Mujota. Në këtë drejtim rëndësi të madhe ka bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve ne rrafshin rajonal, me qëllim të përafrimit të vendit tonë dhe vendeve të rajonit me BE-në.