Ministri Lutfi Zharku takoi përfaqësuesin e FMN-së, Ruud Vermeulen
Prishtinë, 4 Dhjetor 2015
Ministri i Infrastrukturës, z. Lutfi Zharku, priti në një takim kortezie përfaqësuesin rezident të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ruud Vermeulen.
Në këtë takim u bisedua për ecurinë e zhvillimit të projekteve strategjike infrastrukturore dhe për nevojat buxhetore që Ministria e Infrastrukturës ka për realizimin e këtyre projekteve. Me këtë rast ministri Zharku e njoftoi detajisht z. Vermeulen me progresin që eshtë bërë në projektet e një rëndësie më të veçantë - autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, magjistralen Prishtinë-Pejë, atë Prishtinë-Mitrovicë dhe rehabilitimin e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Leshak, si dhe shprehu përkushtimin e tij për vazhdimin e këtyre projekteve, natyrisht në përputhje të plotë me mundësitë buxhetore që ka vendi ynë.
Duke falënderuar ministrin Zharku për pritjen, z. Vermeulen theksoi se është i vetëdijshëm për nevojën që ka Kosova për rritjen e investimeve kapitale dhe se për këtë Ministria e Infrastruturës do ta ketë gjithmonë ndihmën e këtij institucioni.