Ministri Limaj priti 17 maratonistët të cilët duke vrapur kishin kaluar Autostradën e Shqipërisë dhe pjesën e vendit tonë deri në Prishtinë

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir  Limaj, priti 17 maratonistë të cilët duke vrapuar kishin përshkuar autostradën e Shqipërisë, si dhe pjesën e vendit tonë deri në Prishtinë.

 

“Simbolika më e madhe është se ne sot mund të realizojmë një ardhje duke vrapuar nga Tirana në Prishtinë. Kjo tregon se sa janë Tirana me Prishtinën”,  tha ministri Limaj, duke shtuar se kjo flet më shumë se çdo gjë tjetër për projektin madhor që është përfunduar në pjesën shqiptare e që do të fillojë të ndërtohet shumë shpejt edhe në pjesën e Kosovës.

 

Ministri Limaj po ashtu theksoi se kjo dikur ka qenë e paarritshme, jo vetëm këmbë por edhe me makina, mirëpo tash gjërat kanë ndryshuar: Kjo largësi është shkurtuar, gjë që paraqet realitetin e ri të krijuar.

 

Kreu i MTPT-së gjithashtu theksoi: “Autostrada e ka afruar kombin dhe aktivitetet tona kulturore, ekonomike e sportive. Unë ju falënderoj për këtë inciativë të shkëlqyeshme, falënderoj sportistët dhe organizatorët, sepse simbolika  dhe mesazhi i saj është i fuqishëm dhe shumë domethënës. Jam i bindur se shqiptarët dijnë t’i marrin këto mesazhe shumë mirë. Ju dëshiroj që të zhvilloni aktivitete të tilla sportive me qëllim që të promovojmë vlerat tona, të arriturat ekonomike dhe të japim mesazhe se si duhet të vazhdohet bashkëpunimi në të gjitha fushat në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”.

 

Përfaqësuesi i atletëve të Shqipërisë, Suad Jegeni, falënderoi ministrin Limaj për pritjen e bërë dhe shtoi: “ Ne ndërmorëm inciativën që të bëjmë përshkimin e kësaj distance, kësaj vepre gjigante të dy vendeve tona, përkatësisht përurimin sportiv të kësaj autostrade, me pikësynim që kjo autostradë të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fushën sportive në mënyrë që në Prishtinë të vijmë edhe për stërvitje të përbashkëta. Kjo është një afërsi e Shqipërisë dhe Kosovës, që ne e përballuam me vrap.

 

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, theksoi se çdo pëllëmbë e autostradës u shkel me këmbë, përkatësisht u kalua me vrap. Shpresoj se edhe pjesa e autostradës në vendit tonë do të ndërtohet shpejt.

 

Me iniciativën e komisioneve “Sporti për të gjithë”  të Komiteteve Olimpike të Shqipërisë dhe Kosovës, 17 maratonistë, 9 nga Shqipëria dhe 8 nga Kosova, për nder të inaugurimit sportiv të autostradës, Durrës -  Morinë – Prishtinë, dje vrapuan nga Tirana e deri në Kukës, ndërsa sot kanë vrapuar nga Kukësi e deri në Prishtinë.

Foto Galeria

Video Galeria