Ministri Lekaj, takoi përfaqësuesit e banorëve të Vitisë, i siguroi ata se kyçja e Vitisë në autoudhën “Arbën Xhaferi” do të fillojë të realizohet nga mesi i shtatorit
Prishtinë, 12 qershor 2018
Sot, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, priti në një takim një delegacion të gjerë të qytetarëve e përfaqësuesve të Komunës së Vitisë, në përbërje të personaliteteve politike nga niveli qendror i kësaj ane, shoqërisë civile dhe mediave, të kryesuar nga kryetari Sokol Haliti.
Ministri Lekaj, i ka informuar dhe siguruar ata, se kërkesa e tyre për qasje të Vitisë në Autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit, do të bëhet dhe se implementimi i këtij projekti do të fillojë nga mesi i shtatorit të këtij viti.
Lekaj duke i siguruar ata për seriozitetin e tij dhe ministrisë që e udhëheqë në implemëntimin e këtij projekti për kyçjen e Vitisë në autoudhën R6, “Arbën Xhaferi” tha: “Ne u zotuam si Ministri e Infrastrukturës, që kyçja e Vitisë në Autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit do të ndodhë, vendimi është marrë dhe se ai vendim duhet të implementohet. Koha e zgjatjes së këtij implementimi do të jetë deri nga mesi i shtatorit, kur edhe do të fillojnë punimet për kyçje të Vitisë në Autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit. Jemi zotuar që pa stërzgjatje të projektit kjo të ndodhë dhe biseduam edhe me krerët e komunës, përfaqësuesit politik të nivelit qendror të kësaj ane, si dhe shoqërinë civile, që ne të implementojmë kërkesën e qytetarëve, e cila do të ketë impakt pozitiv në zhvilimin ekonomik të Vitisë, por edhe në mos shpërnguljen e qytetarëve të këtij qyteti. Unë nuk do të hyjë në detaje tjera, por kjo kyçje e Vitisë në autoudhë, do të ndodhë në mesin e shtatorit të këtij viti”, tha pos tjerash ministri Lekaj.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, duke folur në emër të institucioneve lokale të Vitisë, tha se i falënderohet ministrit Lekaj, për gatishmërinë e treguar që të trajtojë drejt dhe saktë, kërkesën e banorëve të komunës së tij, për kyçjen që do të bëhet në Gërlicë, e cila e lidhë tërë këtë pjesë të rajonit dhe jo vetëm Vitinë me Prishtinën dhe Shkupin.
Ndërsa, përfaqësuesit nga shoqëria civile e Vitisë, duke e falënderuar ministrin Lekaj, kanë deklaruar se zotimi i ministrit Pal Lekaj, për fillimin e implementimit të projektit për kyçje në autoudhë, është lajmi i mirëpritur nga qytetarët e Vistisë dhe se ata do ta anulojnë protestën e paralajmëruar për ditën e enjte, pasi kanë marrë garancat e duhura se në mesin e shtatorit do të fillojë implementimi i projektit për kyçje të Vitisë në Autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit, konkretisht në fshatin Gërlicë.