Ministri Lekaj ambasadorëve të vendeve të BE-së: Kjo është e vërteta e rrugës Deçan-Kufiri me Malin e Zi
Prishtinë, 26 korrik 2018
Sot, me ftesë të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ambasadorët e vendeve të BE-së, anëtarët e Këshillit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, të kryesuar nga ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe Komandanti i KFOR-it Salvatore Cuoci, vizituan punimet në rrugën Deçan-kufiri me Malin e Zi, ku u njoftuan nga afër se punimet janë duke u kryer jashtë Zonës së Mbrojtur dhe se po respektohen ligjet e vendit për zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, duke i ofruar zonës një perspektivë më të mirë zhvillimore dhe qarkullim të lirë të qytetarëve dhe mallrave.
Ministri Lekaj, duke i falënderuar ambasadorët e vendeve të BE-së, anëtarët e Këshillit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ambasadoren Apostolova dhe Komandantin e e KFOR-it Cuoci, ka ripohuar sërish se Ministria e Infrastrukturës dhe ai si ministër i saj, mbeten të përkushtuar që të respektojnë zbatimin e ligjit dhe të punojnë konform ligjeve të vendit, në të mirë të qytetarëve dhe komuniteteve në tërë vendin.
Lekaj po ashtu tha se Manastiri i Deçanit nuk cenohet nga ky projekt infrastrukturor dhe se sikurse në të kaluarën që është mbrojtur nga banorët e kësaj ane edhe tash e tutje do të mbrohet e respektohet, duke ripohuar qëndrimin e tij se asnjë veprim brenda zonës nuk do të bëhet pa miratimin e Këshillit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe të Manastirit, kurse sa u përket punimeve jashtë Zonës së Mbrojtur, Lekaj tha se është përgjegjësi dhe kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe se nuk kanë nevojë për leje nga askush.
Lekaj tha se ky projekt nuk ka asnjë qëllim tjetër pos lehtësimit të qarkullimit rrugor dhe ofrimit të një infrastrukture rrugore për bizneset, mallrat dhe qytetarët e kësaj zone të pasur me bukuri dhe perspektivë për zhvillim të turizmit.
Ministri Lekaj, i sqaroi edhe ambasadorët, por edhe opinionin publik, se Qeveria Haradinaj dhe ai si ministër i kësaj qeverie, do të punojnë me përkushtim që jeta e qytetarëve të kësaj zone dhe perspektiva e turizmit të kësaj ane të përmirësohet me infrastrukturë, e cila pos tjerash sjellë edhe zhvillim më të madh ekonomik dhe qarkullim të lirë dhe të shpejtë për mallrat dhe qytetarët e vendit tonë, e sidomos për banorët e kësaj pjese të vendit.