Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, përuroi Qendrën protokollare për pritjen e personave me rëndësi të veçantë

Sot ministri i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, përuroi Qendrën protokollare për pritjen e personave me rëndësi  të veçantë (VIP) të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, në të cilën tash e mbas do të bëhet pritja dhe përcjellja e personaliteteve me rëndësi të veçantë, që do ta vizitojnë Kosovën. Në përurimin e kësaj qendre protokollare ishin të pranishëm edhe zëvendëministri I MTPT, Adem Grabovci, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj dhe anëtarë të Bordit të Aeroportit.

Me rastin e përurimit, ministri Limaj tha:

- Qendra është një objekt i ndërtuar me standarde ndërkombëtare. Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës i ka munguar një hapësirë e këtillë për të pritur dhe përcjellë personalitetet e larta të vendeve të ndryshme që vizitojnë Kosovën. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne mendojmë që ky vend duhet që në mënyrë të dinjitetshme t’i presë dhe t’i përcjellë miqtë, të cilët vijnë të na vizitojnë, por njëkohësisht t’i presë dhe t’i përcjellë edhe personalitetet e vendit tonë; të kemi hapësirën e nevojshme jo vetëm për të kaluar dhe për të ardhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, por edhe për të zhvilluar takimet e domosdoshme, të nevojshme, sipas nevojës dhe situatave që paraqiten, - tha ministri Limaj dhe shtoi se në hapësirat e Qendrës protokollare, përveç pritjes dhe përcjelljes së njerëzve, ka vend edhe për takime të ndryshme, varësisht nga nevoja: ka hapësirë që të mbahen mbledhjet e kabinetit, në raste të veçanta edhe të Qeverisë, por edhe të presidentit me këshilltaret e tij, meqë në këtë qendër janë paraparë të gjitha parakushtet që duhet t’i ketë për raste të tilla një aeroport i një shteti.

- Kështu e kanë vendet e tjera, e kështu e kemi edhe ne, - tha Limaj.

Drejtori i ANP-së, Agron Mustafa, në fjalën e tij tha se aeroporti është në shërbim të konsumatorëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke shtuar se në mesin e një numri të madh të njerëzve, që i shfrytëzojnë shërbimit e këtij aeroporti, ka edhe personalitete me rëndësi të veçantë, të cilët kalojnë për çdo ditë nëpër këtë aeroport.

- Që në vitin e kaluar kemi marr vendim për ndërtimin e një qendre të këtillë, që po e përurojmë sot, që paraqet një investim relativisht të madh, i cili nuk do të mund të bëhej pa përkrahjen e madhe të Bordit të Drejtorëve, në krye me Bekim Jasharin dhe pa një koordinim të mirë dhe përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, - tha Mustafa.

Sa u përket investimeve në këtë qendër, Mustafa tha se vlera e përgjithshme e investimit ka qenë rreth 750 mijë euro.
VIP-qendra ka një hapësirë prej 600 metrash katrorë, brenda së cilës gjenden dy salla për mbledhje, salla e konferencave për gazetarë dhe hapësira të tjera që duhet t’i këtë një qendër e këtillë.

 

Limaj-VIP

Foto Galeria

Video Galeria