Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, priti zyrtarët e lartë të Bankës Evropiane të Investimeve
Prishtinë, 08 dhjetor 2015
Ministri i Infrastrukturës, z. Lutfi Zharku, sot pati një takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Bankës Evropiane të Investimeve, Romualdo Massa Bernucci dhe me zëvendësshefin e Divizionit të kreditimit të operacioneve në Slloveni, Kroaci dhe në Ballkanin Perëndimor të Departamentit të Adriatikut, Matteo Rivellini.
Ministri Zharku njoftoi detajisht mysafirët me projektet infrastrukturore madhore, të cilat Ministria e Infrastrukturës është duke i realizuar aktualisht, si autostradën Prishtinë - Shkup, magjistralen Prishtinë - Mitrovicë, magjistralen Prishtinë Pejë etj.
Ndër të tjera në këtë takim u përmend edhe nënshkrimi i marrëveshjes për kreditimin e modernizimit të pjesës kosovare të rrjetit hekurudhor evropian Route 10, Ministri Zharku nënshkrimin e marrëveshjes e cilësoi tejet të rëndësishëm për integrimin hekurudhor të Kosovës në rrjetin evropian të hekurudhave dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.