Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, përuroi katër projekte infrastrukturore në komunën e Ferizajt dhe të Shtimes
Ferizaj/Shtime, 22 dhjetor 2015
Ministri i Infrastrukturës, z. Lutfi Zharku, bashkë me zëvendësministrin Fehmi Mujota, me kryetarin e komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa dhe atë të Shtimes Naim Ismajli, përuroi sot katër projekte infrastrukturore në rajonin e këtyre komunave: rrugën nacionale Ferizaj-Shtime, nënkalimin për këmbësorë në fshatin Koshare, fazën e dytë të transitit të Shtimes dhe rrugët Dëshmorët e Reçakut e Skender Salihu me segmente në Shtime.
Në fjalën përuruese, ministri Zharku foli për këto projekte dhe për rëndësinë e tyre për këtë pjesë të vendit, duke i cilësuar ato si jashtëzakonisht të rëndësishme.
Me këtë rast mund ti konfirmoj investimet për vitin e ardhshëm, si për komunën e Ferizajt, ashtu edhe për atë të Shtimes, - tha ministri Zharku në vazhdim të fjalës së tij. Në komunën e Ferizajt do ti kemi 7 projekte, në vlerë të përgjithshme prej afër 6 milionë eurosh, kurse në komunën e Shtimes do të vazhdojmë me ndërtimin e transitit, një fazë të të cilit do ta inaugurojmë sot, por që do të vazhdojë deri në Carralevë. Pra, përkrahja do të vazhdojë me investime në përputhje me programin e Qeverisë për ngritjen e infrastrukturës, me qëllim ndihmën për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një ambienti sa më të mirë për biznese dhe për jetën e qytetarëve, - tha ministri z. Lutfi Zharku.
Edhe zëvendësministri Fehmi Mujota foli për përkrahjen e Qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore jo vetëm në këtë rajon, por në tërë vendin, ndërsa të dy kryetarët e komunave, Sfarqa dhe Ismajli folën për projektet që janë realizuar dhe për nevojën e vazhdimit të investimeve në komunat që i drejtojnë.
Për ndërtimin e objekteve të infrastrukturës rrugore, që u përuruan sot, janë investuar rreth 3 milionë euro.
Pas përurimit, ministri i Infrastrukturës, z. Lutfi Zharku, vizitoi edhe disa projekte, punët në realizimin e të cilave janë në vazhdim e sipër.