Ministri Fehmi Mujota priti delegacionin e Aviacionit Civil të Emirateve të Bashkuara Arabe

Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti në vizitë pune drejtorin general të Autoritetit të Aviacionit Civil të Emirateve të Bashkuara Arabe, Saif Mohammed Al Suwaidi, i cili i printe delegacionit të Emirateve të Bashkuara Arabe, që do të zhvillojë konsultime me palën kosovare për arritjen e marrëveshjes për transportin ajror, që planifikohet të nënshkruhet midis Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

 

Gjatë bisedës me Al Suwaidin dhe anëtarët e tjerë të delegacionit, ministri Mujota shprehu binbdjen se lidhja e marrëveshjes për transportin ajror, përveç tjerash, do të hapë perspektiva të reja për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe do të ndikojë në rritjen e nivelit të shkëmbimit tregtar midis dy vendeve.

 

- Besoj që Kosova është treg atraktiv dhe presim që shumë shpejt do të fillojnë fluturimet e drejtpërdrejta nga kompanitë e EBA, - tha ministri Mujota, i cili poashtu shprehu bindjen se një bashkëpunimi të gjithanshëm do t’i kontribuojë edhe ndërtimi i terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës:

 

 - Me terminalin e ri do të garantohen shërbime edhe më cilësore për kompanitë ajrore dhe udhëtarët, duke përfshirë edhe kompanitë ajrore të EBA-së që do të fluturojnë midis dy vendeve tona, - tha ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota.

 

Në fund të takimit, ministri Mujota tha se të dy palët që do të punojnë në tekstin e Marrëveshjes për Transportin Ajror midis Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duhet ta kenë parasysh interesin kombëtar të të dy vendeve, si dhe raportet e shkëlqyera midis tyre.

 

- Ju uroj sukses në negociata, pajtim të dyanshëm rreth tekstit të marrëveshjes dhe nënshkrim të një memorandumi të mirëkuptimit, nëpërmjet të të cilit do të hapej rruga për fillim të shpejtë të shërbimeve ajrore midis dy vendeve tona, - tha në përfundim të takimit ministri Fehmi Mujota.

Foto Galeria

Video Galeria