Ministri Basha takon homologun nga Maqedonia e Veriut dhe përfaqësues të BERZh-it në kuadër të Samitit për Investime në Transport në Selanik

 Në kuadër të punimeve të Samitit për Investime në Transport që po mbahet në Selanik, Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, i shoqëruar nga Drejtori i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Greqi, Fitim Gllareva, zhvilloi takim bilateral me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski.


Gjatë takimit u diskutua për projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe avancimin e lidhjeve rrugore ndërmjet dy vendeve. Vëmendje e veçantë iu kushtua projektit të autoudhës Shkup-Bllacë, investim në vlerë prej 200 milionë eurosh, punimet e së cilës pritet të nisin në ditët e ardhshme dhe që do të kontribuojë në lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave.


Po ashtu, në takim u trajtua edhe projekti i rrugës Prizren-Tetovë, për të cilin palët u dakorduan që të vazhdohet me studimet e nevojshme për fazat e ardhshme të realizimit, me qëllim të sigurimit të zgjidhjeve më të mira teknike dhe funksionale.


Në vazhdën e takimeve në Selanik, Ministri Basha zhvilloi takim edhe me Drejtoren për Infrastrukturë për Evropë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Elena Gordeeva, e shoqëruar nga Drejtori për Infrastrukturë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Donald Mishaxhiu.


Me këtë rast, Ministri Basha i informoi përfaqësuesit e BERZh-it për progresin e projekteve infrastrukturore në vend dhe rritjen e intensitetit të punimeve në projektet aktuale. Gjithashtu, ai shprehu interesimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mbështetje financiare në realizimin e projekteve hekurudhore Prishtinë-Durrës, Prishtinë-Aeroport dhe Prizren-Ferizaj-Gjilan-Bujanoc.


Takimet u zhvilluan në funksion të forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe sigurimit të mbështetjes për projektet strategjike të infrastrukturës dhe transportit të Republikës së Kosovës.

Foto Galeria

Video Galeria