Mbahet takimi i Komitetit Drejtues Ndërministror për Autostradën R6, Prishtinë-Hani i Elezit
Prishtinë, 26 maj 2017
Sot është mbajtur takimi i Komitetit Drejtues Ndërministror për Autostradën R6, Prishtinë-Hani i Elezit. Në këtë takim morën pjesë ministri i Infrastrukturës - kryetar i Komitetit Ndërministror, Lutfi Zharku, ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Në këtë takim u shqyrtuan kërkesat për kyqje të reja në autostradën Arbër Xhaferi e parashtruara nga 10 deputetë nga komuna e Ferizajit, kryetari i komunës së Ferizajit dhe kryetari i Komunës së Vitisë.
Pas shqyrtimit të kërkesave për kyçje të reja, në këtë takim, u vendos që në parim të përkrahet ndërtimi i dy kyçjeve të reja në rrugën R6, Autostradën Prishtinë- Hani i Elezit, njëra për komunën e Ferizajit, në kuadër të segmentit kyçja Babush deri në kyçjen Bibaj, si dhe tjetra për komunën e Vitisë në kuadër të segmentit kyçja Bibaj deri në kyçjen Doganaj.