Kryeministri Mustafa, së bashku me ministrat Zharku, Bajrami, Abrashi dhe kryetarin Muhaxheri vizituan punimet në hyrje të Pejës

Prishtinë, 22 korrik 2016

 

Në organizim të Ministrisë së Infrastrukturës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri vizituan punimet në rrugën nacionale Prishtinë – Pejë.  Kryeministri Mustafa shprehu përkrahjen e tij për projektet që po realizohen në Pejë.

 “Jemi këtu për të shikuar punimet që po zhvillohen.

Jemi të interesuar të intensifikojmë të gjitha projektet investive në fushën e rrugëve dhe në fushat e tjera. Jam i gëzuar që tani në komunën e Pejës po zhvillohet ky projekt, i cili është kontraktuar më parë, ku do të zgjerohet hyrja në qytetin e Pejës dhe do të bëhet shumë më e përshtatshme për qytetarët dhe për të gjithë ata që e vizitojnë këtë qytet shumë të bukur turistik, që meriton vëmendjen e veҫantë jo vetëm të Kosovës, por edhe të regjionit. Po ashtu, kemi planifikuar edhe investime të tjera, natyrisht, gjithmonë duke balancuar investimet edhe me qytet dhe me komunat tjera në fushën e kulturës, të ndërtimit dhe infrastrukturës së brendshme. Shpresoj që një koordinim i mirë, i cili po bëhet ndërmjet ministrive, Qeverisë dhe komunave, do të arrijë që të ketë një efiҫiencë më të lartë”, theksoi kryeministri Mustafa.

Në fjalën e tij, ministri Zharku, ndër të tjera, foli për projektet që u vizituan sot dhe theksoi: “Përveҫ këtij investimi, i cili besojmë se do të përfundojë vitin e ardhshëm, ne do të investojmë edhe 4 milionë euro në projekte të tjera në Pejë, pra në lagje dhe në fshatra të Pejës. 

Po ashtu, vitin e ardhshëm do të nis ndërtimi i rrugës së re, Kiev-Zahaq, me gjatësi 30 km, e cila do të financohet nga BERZH dhe BIE”. Ndërsa, kryetari Muhaxheri shprehu falënderimet e tij për investimet që po bën Qeveria e Kosovës në komunën e Pejës. “Falënderoj Kryeministrin dhe Ministrin e Infrastrukturës për kontributin e dhënë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore në komunën e Pejës. Këtë vit në Pejë do të asfaltojmë 104 km rrugë nëpër fshatra, në qytet dhe në bjeshkët e Rugovës”, theksoi ndër të tjera kryetari Muhaxheri.  

Punimet në zgjerimin e rrugës nacionale N9, drejtimi Pejë-Prishtinë po kryhen në tri lote:

  • Zgjerimi i rrugës në qytetin e Pejës (Pejë - Prishtinë), me gjatësi prej 1.99 km, vlera e kontratës e së cilës ësht 2,014,613.02 €;
  • Zgjerimi i rrugës nacionale N9, segmenti: Klinë - Pejë (Lot5), me gjatësi 4.30 km dhe me vlerë të kontratës prej 5,037,411.07 €, si dhe
  • Zgjerimi i rrugës nacionale N9, segmenti: Klinë - Pejë (Lot5), me gjatësi prej 2.40 km, vlera e kontratës për të cilin kap shumën prej 2,861,172.01 €.

Gjatësia totale e rrugës, në të cilën do të kryhen punimet, është 8.69 km, ndërsa shuma totale e kontratave është 9,913,196.10 euro.

Investitore e realizimit të këtyre projekteve është Ministria e Infrastrukturës.

Foto Galeria

Video Galeria