KOMUNIKATË PËR MEDIA

Sot nisën punimet për ndërtimin e autostradës së re “Prishtinë – Hani i Elezit”. Ky është projekti më i madh infrastrukturor në Kosovë në vitet e ardhshme.

Në ceremoninë e organizuar për fillimin e punimeve ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë shtetëror e institucional të vendit, Presidentja Jahjaga, Kryeministri Thaçi, zv. Kryeministri i Maqedonisë z. Xhaferi, ambasadorët e  SHBA-së, BE-së dhe rajonit.

Në fjalën e tij, ministri i Infrastrukturës z. Fehmi Mujota pasi falënderoi të pranishmit, theksoi rëndësinë e ndërtimit të autostradës së re, dhe punën e bërë për më shumë se 2 vjet deri në finalizimin e kontratës me konsorciumin fitues Bechtel &Enka.

            Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit përveç se përbën një vepër të rëndësishme infrastrukturore, ajo ofron perspektivë zhvillimore e integruese, si e tillë ajo tejkalon rëndësinë nacionale – është rrugë që lidh kombet, rajonin dhe më gjerë.

            Fillimin i punimeve e përshëndeti edhe zv. Kryeministri i Maqedonisë z. Musa Xhaferi i cili i përgëzoi qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës për suksesin e arritur dhe rëndësinë e rrugës së re.

Ndërsa kryeministri i Qeverisë së republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi theksoi se fillimi i punimeve në autostradën e re është një hap i madh drejt modernizimit të infrastrukturës në Republikën e Kosovës, e cila do ti shërbej zhvillimit ekonomik, do ti bashkoj shqiptarët me rajonin dhe do ta integroj Kosovën në rrjetin ndërkombëtar të transportit.

Projekti i ri është një nga pikat kryesore të Misionit të Ri. Kyreministri me këtë rast bëri publik vendimin për emërtimin e autostradës së re me emrin e intelektualit dhe atdhetarit të shquar shqiptar nga Maqedonia, Arbër Xhaferi.

Shpresojmë se edhe Republika e Maqedonisë do ta përfundoj pjesën e autostradës nga Shkupi deri në kufi, në mënyrë që qytetarët dhe dy kryeqytetet tona të lidhen me rrugë moderne.

            Autostrada e re ka vlerë investive prej 599.944.263 euro dhe ka gjatësi prej 60 km, ndërsa do të realizohet brenda 42 muajve nga nisja e punimeve.

            Dëshirojmë të sqarojmë publikun se në ceremoninë e sotme ka pas një lëshim protokolli, ku në shenjë respekti moderatori ftoj për fjalë rasti ambasadoren e SHBA-ve, fjalimi i së cilës nuk ishte i paraparë e as i konfirmuar më parë.

Shprehim keqardhje për këtë dhe i kërkojmë ndjesë Ambasadores Jacobson!

 

Image

 

Foto Galeria

Video Galeria