Komiteti ndërministror,rekomandoi ndërmarrjen e Partneritetit Publiko Privat për operimin dhe rritjen e aeroportit të Prishtinës
Komiteti Drejtues Ndërministror, i themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për të analizuar opsionet për investim dhe operim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, rekomandoi ndërmarrjen e Partneritetit Publiko Privat për operimin dhe rritjen e aeroportit kryesor të shtetit.
Rekomandimi u bazua në studimin e fizibilitetit të shkallës së investimeve, studim i kryer nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë të konzorciumit të kompanive amerikane dhe holandeze.
Ky studim i bazuar në parashikimet e trafikut, gjithashtu ka analizuar nevojat infrastrukturore të nevojshme për përmbushjen e kërkesës në të ardhmen. Rekomandimi synon që deri në vitin 2012, aeroportin ta shpiejë prej kualifikimit të tanishëm si “i pamjaftueshëm” në aeroport të rangut botëror me standarde ndërkombëtare.
Projekti-investimi përfshin ndërtimin e një ndërtese të terminalit të ri, tri herë më i madh sesa ekzistuesi. Terminali i ri do të jetë simbol i së ardhmes së Kosovës dhe do t’i bëjë krenarë qytetarët e Kosovës.
Investime të tjera të kërkuara përfshijnë, ndërtimin e një kulle të re të trafikut ajror dhe pajisjeve përcjellëse, platformë të re parkingu aeroplanësh që do të ofronte edhe 9 pozicione shtesë, uzinë për përpunimin e ujit, etj.
Në mënyrë që të financohet, ky program i investimeve të fuqishme, studimi rekomandon përfshirjen e sektorit privat në formë të koncesionit.
Për dallim nga privatizimi, me anë të koncesionit, asetet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës do të mbesin pronë e Kosovës. Investimi nga ana e sektorit privat do të mundësojë që qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga ky zhvillim pa e shpenzuar buxhetin e Kosovës. Përkundrazi, studimi tregon se me përfshirjen e financimit privat dhe menaxhmentin nga ana e ekspertëve të kualifikuar, buxheti i Kosovës do të ketë deri dyfish më tepër të hyra nga aeroporti.
Përfshirja e investimeve dhe menaxhmentit privat, për të ofruar shërbime dhe infrastrukturë publike shënon të parin e këtij lloji në historinë e Kosovës. Aeroportet e tjera në rajon tanimë janë në proces të operimit përmes sektorit privat, gjë që tregon se për të qenë më konkurruese, Kosova duhet të kërkojë kompani të specializuara.
Pas marrjes së këtiji vendimi, qeveria do të punojë për së afërmi me këshilltarët e transaksionit dhe ekspertët ndërkombëtarë për të përgatitur procesin konkurrues të prokurimit publik.
Komiteti Drejtues Ndërministror përbëhet nga ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, z. Fatmir Limaj – kryesues, dhe anëtarët z. Ahmet Shala, z. Lutfi Zharku, znj. Nekibe Kelmendi, z. Zenun Pajaziti, z. Mahir Yagcilar, dhe përfaqësuesi i zyrës së kryeministrit, z. Bekim Collaku.
Komiteti është plotësisht i përkushtuar që ky projekt të vazhdojë me tranparencë të plotë konform praktikave më të mira ndërkombëtare.