Kadriu e Pacolli, biseduan për nevojën e bashkëpunimit në projektet infrastrukturore për Prishtinën

Prishtinë, 17 maj 2018


Sot, zëvendësministri i Infrastrukturës Rexhep Kadriu, bashkë me shefin e kabinetit të ministrit Pal Lekaj, Argjend Zejnaj, pritën në takim një delegacion nga Komuna e Prishtinës i udhëhequr nga nënkryetari Selim Pacolli. 


Në këtë takim u bisedua për projektet infrastrukturore që janë duke u realizuar nga dy nivelet e qeverisjes, të cilat kanë ndikim të madh në dinamikën e jetës së qytetarëve të kryeqytetit, e sidomos në qarkullimin e lirë dhe të papenguar të atyre që jetojnë këtu, por edhe për qytetarët e shumtë që e vizitojnë Prishtinën.


Zëvendësministri Kadriu tha se bashkëpunimi i ministrisë me komunën është në funksion të harmonizimit të projekteve, çka nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Nga këto takime, e nga ky bashkëpunim, përfitues direkt do të jenë qytetarët e vendit tonë, e sidomos ata të kryeqytetit. Zëvendësministri Kadriu, po ashtu ka premtuar se ministria do të jetë në mbështetje të Komunës së Prishtinës, për aq sa lejojnë mundësitë buxhetore, kurse ka shfaqur gatishmërinë që komunikimi mes dy niveleve të qeverisjes të jetë në funksion të harmonizimit të projekteve dhe i njëjti të ndodhë edhe në të ardhmen, në baza ditore e javore, deri në materializmin e të gjitha projekteve që janë paraparë. “Sot po bisedojmë për zgjerimin e “Veternikut”, kyqja e rrugës A me nënkalim, që i lidhë dy lagjet, atë “Kalabria” me pjesën tjetër të qytetit, unaza e brendshme, dhe tri porjekte të tjera që do ta lidhin Prishtinën me zonat rurale”, tha mes tjerash zëvendësministri Kadriu.


Nënkryetari Pacolli, në emër të delegacionit të Komunës së Prishtinës, duke e falenderuar zëvendësministrin Kadriu dhe Ministrinë e Infrastrukturës për gatishmërinë e treguar për bashkëpunim, tha se Komuna e Prishtinës ka nevojë për mbështetje në projektet e mëdha infrastrukturore dhe se komuna do të jetë e gatshme dhe e hapur për bashkëpunim me ministrinë, në mënyrë që projektet infrastrukturore të jenë të harmonizuara mes vete dhe të ofrojnë zgjidhje optimale për qytetarët.

 

Foto Galeria

Video Galeria