Gjakova me një rrugë të re, një tjetër fillon ndërtimin

Prishtinë, 24 tetor 2018

 

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, bashkë me kryetarin e Gjakovës Ardian Gjini dhe deputeten Teuta Haxhiu, të mërkurën inauguroi rrugën Gjakovë - Ponoshec dhe mori pjesë në fillimin e punimeve në rrugën Smolicë-Nivokaz.

 

Rikonstruimi i rrugës Gjakovë-Ponoshec me gjatësi mbi 11 kilometra, ka kushtuar mbi 800 mijë euro, ndërsa rruga Junik-Ponoshec, e gjatë mbi 8 kilometra do të riparohet me kosto mbi 25 mijë euro. Rruga e re Smolicë – Nivokaz me gjatësi prej 6 kilometra do t’i kushtojë Ministrisë së Infrastrukturës rreth 730 mijë euro. Ndërkaq edhe në urën e Rekës së Keqe, e cila ka gjatësi mbi 67 metra dhe kosto mbi 500 mijë euro, po punohet me intensitet të shtuar në mënyrë që banorët e fshatrave të kësaj ane të lidhen m e qytetin e Gjakovës.

 

Ministri Lekaj duke u prononcuar para mediave tha se këto rrugë janë të  rëndësishme pasi lidhin dy shtetet shqiptare dhe se ky është mesazh që Qeveria e Haradinaj dhe MI-ja po i kryejnë punët e veta. I pari i dikasterit të infrastrukturës ka potencuar se ky vit është  i suksesit ngase po investohet ngado në infrastrukturë me standarde të larta. Ai tha se këto nuk do të jenë projektet e vetme për Gjakovën dhe komunat e vendit, meqë me investime në nivelin lokal ndihmohet zhvillimit ekonomik e lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave.

 

Kurse kryetari i Gjakovës Ardian Gjini, duke e falënderuar ministrin Pal Lekaj dhe MI-në për mbështetjen e madhe dhe të shpejtë në kompletimin e këtyre projekteve, tha se këto projekte janë për qytetarët dhe tregues i mirë se zotimet e dhëna nga ministri Lekaj dhe ai si kryetar po bëhen realitet. 

 

Foto Galeria

Video Galeria