Filluan punimet në dy projekte infrastrukturore të Skenderajt

Prishtinë, 1 gusht 2019

 

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të enjten mori pjesë në fillimin e punimeve në rrugën Skenderaj - Vushtrri dhe Kotorr - Qubrel, investime  të MIT.

 

Ministri Lekaj tha se ndihet mirë se po investohet në përmirësimin e jetës më të mirë të qytetarëve të Skenderajt dhe anë e kënd Kosovës. Ai shtoi se pa i zhvilluar komunat e zonat rurale nuk zhvillohet as shteti.

 

Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, e falënderoi ministrin Lekaj për investimet në projektet e infrastrukturës rrugore në Skenderaj dhe tërë Kosovën pa dallim bindjesh politike, sepse  këto rrugë u japin qasje shumë fshatrave dhe i lidhin ato me qytetin.

 

Rruga Skenderaj - Vushtrri, është e gjatë afër 14.3 kilometra, ka kosto prej 800 mijë euro. Ndërsa rruga Kotorr - Qubrel, ka gjatësi prej 8.7 kilometra, vlera e saj është 430 mijë euro.

Foto Galeria

Video Galeria