Është përuruar sot segmenti i parë i Autostradës "Arbën Xhaferi" që lidh Prishtinën me Shkupin.


Është përuruar sot segmenti i parë i Autostradës "Arbën Xhaferi" që lidh Prishtinën me Shkupin.

Kjo autostradë do të shkurtoj ndjeshëm largësinë në mes të dy kryeqyteteve dhe do të ndikojë në rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes më të lehtë të njerëzve nga të dy vendet.

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ky segment është udhëkryqi më i madh në rajon, për të cilin janë bërë punë cilësore dhe që do të ndikojnë si në rritjen e shkëmbimeve tregtare, ashtu edhe në ato të lëvizjes më të lehtë të njerëzve. 

 

"Kjo është vepër shumë e madhe dhe e rëndësishme. Ky segment është udhëkryqi më i madh në rajon që na lidhe më Shqipërinë, me Maqedoninë edhe vendet tjera. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën. Këto punime që po bëhen janë cilësore dhe i kushtojnë buxhetit 600 milionë euro. Ky është edhe një projekt, i cili na mundëson që ne të arrijmë kompleksin e projekteve që po i realizojmë bashkë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, me të cilat po bëjmë përpjekje që të arrijmë standardet që kanë shtetet e BE-së. Ne kemi arritur një marrëveshje të rëndësishme me FMN-në, e cila do të na mundësojë që ne të ndërtojmë edhe rrugë të tjera të rëndësishme për vendin. Këtë autostradë do ta lidhim edhe me autostradën për Gjilan, do të vazhdojmë deri në Podujevë me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe do të bëjmë lidhjen për Nish. Do të zgjerojmë rrugën për Mitrovicë dhe do të arrijmë në Mitrovicë me autostradë, e po ashtu do të rikonstruktojmë linjën hekurudhore që na lidh nga Hani e Elezit deri në Leshak”.

 

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka shprehur kënaqësinë për realizimin e pjesës së parë të kësaj autostrade.

"Jemi të kënaqur dhe të gëzuar me këto vepra madhështore që po bëhen në atdheun tonë. Arbën Xhaferi, figura jonë e madhe e mendimit politik kombëtar është duke u përjetësuar me një vepër madhështore me standarde botërore, andaj urime të gjithëve bashkërisht. Ne duhet të vazhdojmë bashkërisht të punësojmë se ia kemi borxh këtij vendi zhvillimin ekonomik, duhet të vazhdojmë autostradat që lidhin komunikimin e qytetarëve të vendit tonë me vendet tjera. Ne duhet bashkërisht t'i vazhdojmë projektet e zonave ekonomike, lehtësirave për bizneset tona, ngritjen e prodhimit tonë dhe nxitjes së investimeve të huaja. Ne do t'ia arrijmë këto qëllime me dëshirën dhe synimin për të mirën e qytetarëve bashkërisht pozitë dhe opozitë". 

 

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka deklaruar se vendi ku është ndërtuar nyja lidhëse e segmentit të parë të autostradës Arbën Xhaferi do të ndikojë në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.

"Kjo është lidhja e dy veprave të mëdha për vendin tonë, autostradës "Ibrahim Rugova" dhe "Arbën Xhaferi". Pikërisht ky vend ku po qëndrojmë sot paraqet nyjën lidhëse të vendit tonë. Kjo nyje lidh dy autostradat tona me rrugën nacionale Prishtinë-Gjilan të gjatë 5 km. Kjo nyjë lidhëse bashkë me segmentet e mëhershme të përfunduara nga Bresja në Besi do të ndikojnë edhe në të mirë të Prishtinës. Sot Kosova mund të konsiderohet një nyjë lidhëse e rëndësishme për ekonominë e rajonit, ngase me sukses po realizon një rrjet infrastrukturor të integruar që është parakusht për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Kjo vepër madhore infrastrukturore paraqet sendërtimin e një pjese të programit të qeverisë 2015-2018 për infrastrukturën rrugore. Me përfundimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, Kosova përmbush objektivat për ndërtim të korridoreve evropiane të përcaktuara në Forumin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, si dhe me Observatorin e Transportit të Evropës-Juglindore".

 

Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, i cili tha se me këto rrugë lidhjet infrastrukturore të Kosovës me vendet fqinje po përmirësohen dukshëm.

"Në shumë takime unë shpesh flas për qëllimin e Kosovës për lidhjen me vendet euro atlantike. Me këtë rrugë, lidhjet e Kosovës me fqinjët e saj po përmirësohen në mënyrë të prekshme. 80% e të punësuarve janë nga Kosova, 1.200 kosovarë po fitojnë përvojë dhe pagë të mirë nga ky projekt, rreth gjysma e materialit sigurohet nga ndërmarrjet kosovare përmes tenderëve me çka ndikon në rritjen e tyre dhe të punësimit. Çdo punë që bëhet tatimohet dhe shkon në buxhetin e Kosovës".

Nga ana tjetër, ambasadorja turke në Kosovë ka thënë se është e lumtur që një kompani nga Turqia bashkë me atë amerikane po ndërtojnë rrugë të rëndësishme për Kosovën që do të ndikojnë si në aspektin automobilistik, ashtu edhe në atë social. 



 

Foto Galeria

Video Galeria