Edhe përkundër borës së dendur, rrugët nacionale dhe rajonale janë të kalueshme, bëni kujdes dhe t’i keni me vete pajisjet dimërore

Prishtinë,

20 janar 2018


Bora e dendur që po bie që na mëngjesi, ka bërë që në rrugët nacionale dhe rajonale të vështirësohet qarkullimi, por falë intervenimeve të kompanive mirëmbajtëse, rrugët janë të kalueshme, kurse kërkohet nga të gjithë ngasësit që të kenë kujdes gjatë ngasjes dhe t’i kenë me vete pajisjet dimërore.


Si pasojë e reshjeve atmosferike, në  rrugën Nacionale 25/3 në mes Llabjanit dhe Parallovës, në kthesat tek gurthyesi ka ndodhur një rrokullisje e një cisterne të derivateve të naftës, sot rreth orës 13.40, e cila ka bllokuar rrugën në udhëkryq dhe nga nafta e derdhur është pamundësuar qarkullimi dhe kishte rrezik për rrëshqitje nga nafta e derdhur në rrugë.

 

Kjo rrugë ka mbetur e bllokuar diku rreth dy orë, mirëpo falë reagimit të mënjëhershëm të Policisë së Kosovës, ekipeve emergjente të Gjilanit dhe Novobërdës dhe zjarrëfikësve, por edhe reagimit të shpejtë të kompanisë mirëmbajtëse, e cila ka mënjanuar mjetin e rrokullisur dhe ka pastruar tërë rrugën nga nafta e derdhur, tashmë kjo rrugë është liruar dhe qarkullimi po bëhet normalisht. Kompania mirëmbajtëse ka hedhur krip dhe rërë në tërë segmentin e kësaj rruge, e në veçanti në pjesën ku ka ndodhur aksidenti, ku edhe do të kujdestarohet edhe gjatë tërë natës që të evitohet mundësia e krijimit të nfgricave në këtë pjesë.


Gjendje pak më e vështirë është në Brezovicë, ngase ka një fluks të shtuar të pjesëmarrësve në trafik, që po vizitojnë këtë pjesë të vendit dhe si pasojë edhe kompanitë e mirëmbajtjes po kanë vështirësi në intervenim si pasojë e komunikacionit të denduar, mirëpo është kërkuar ndihma e Policisë së Kosovës për ta drejtuar trafikun, në mënyrë që kompanitë të kenë qasje për të vepruar në tërë segmentin e rrugës.


Ministria e Infrastrukturës poashtu njofton se në të gjitha rrugët tjera edhe përkundër borës së dendur dhe trafikut të ngarkuar, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve po bëjnë çdo gjë që është e nevojshme, në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme. Deri më tani intervenime ka patur në të gjitha rrugët e vendit, duke u hedhur krip dhe rërë atyre, në mënyrë që të garantohet lëvizje e lirë dhe qarkullim i sigurtë.


Ministria e Infrastrukturës u bënë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafikun rrugor që të lëvizin me kujdes dhe të kenë me vete pajisjet dimërore, në mnëyrë që të evitohen aksidentet dhe bllokadat e mundëshme në rrugë.


Ministria e Ifrastrukturës po ashtu, mbetet e përkushtuar që të sigurojë rrugë të sigurta dhe të kalueshme edhe përkundër kushteve të rënduara atmosferike.

Foto Galeria

Video Galeria