Asfaltohet qyteti i Gjilanit, projekt i financuar nga Ministria e Infrastrukturës
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, të dielën ka marrë pjesë në asfaltimin e qytetit të Gjilanit, projekt ky i zgjerimit, i financuar nga Ministria e Infrastrukturës.
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka thënë se vëmendja e Qeverisë së Kosovës për projektet zhvillimore në Anamoravë, po koncentrohet gjithnjë e më shumë në Gjilan.
“Jemi finalzimin e këtij Bulevardi për të treguar edhe përkushtimin e Qeverisë dhe timin për projektet e nisura më herët, sikurse ky. Por, gjithsesi, me kryetarin Haziri, kemi diskutuar edhe për projektet në vitet e ardhshme. Zotohem se do ta vazhdojmë fazën tjetër në vitin e ardhshëm, derisa në javët në vijim do të jem prapë në Gjilan, kur do të fillojmë punët në rehabilitimin e hyrjes së Gjilanit në drejtim të Kllokotit. ”, tha Abrashi.
Abrashi konfirmoi se javët në vijim do të shpallet edhe tenderi për pjesën e mbetur të Autostradës, nga Përlepnica e deri tek Dheu i Bardhë.
“Me këto projekte, Gjilani po integrohet në rrjetin e rrugëve të Ballkanit. Prandaj javëve në vijim do të shohim punë konkrete dhe projekte madhore dhe rrugë që e lidhin Gjilanin me Preshevën, por edhe Maqedoninë e Veriut”, tha Abrashi.
Ndërsa kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se ky projekt ambicioz e përkthen Gjilanin si zonë urbane në programin 2020-2025, si njëra nga qendrat ku njerëzit dhe zhvillimi i ekonomisë e janë prioritet.
“Jemi në Bulevardin ‘Ibrahim Rugova’, në të cilin janë të integruar tri sheshe të mëdha të Gjilanit, në kuadër të rigjenerimit urban të zonës së parë të qytetit. Projekti i filluar para disa vitesh, po merr formë. Do të vazhdojmë në pjesën tjetër të zgjerimit dhe standardizimit prej sheshit ‘Rexhep Mala e Nuhi Berisha’, ‘Kadri Zeka’ deri te lapidari i Abdullah Tahirit. Rigjenerimi parasheh fazën e dytë në vitin e ardhshëm, ku përfshihet integrimi i rrugëve kryesore ‘Madeline Albright’, ‘Adem Jashari’ e ‘Mulla Idriz Gjilani’”, tha Haziri.