Arrihet marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave ADR në Bruksel
Me ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel, pas bisedimeve maratonike dhe në një atmosferë të rëndë e të tensionuar, rreth orës 3:30 pas mesnate është arritur marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ka njoftuar ministrja për Dialog Edita Tahiri, e cila ka theksuar se kjo marrëveshje konfirmon se Serbia ka njohur shtetin e Kosovës në fushën e transportit të mallrave të rrezikshme.
Njohja reciproke e certifikatave të ADR-së (The European Agreement concerning the International Carriage of Dangerous Goods by Road) është njohje e dokumenteve shtetërore të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Certifikata ADR për shoferë është dokument shtetëror, i cili përmban stemën shtetërore, si dhe është konform konvetës së OKB-së për ADR. Deri tash, Kosova ka arritur njohje reciproke të certifikatave të ADR-së me shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, shtetet e rajonit e më gjerë dhe kësaj liste tani i shtohet edhe Serbia.
Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ministrja Tahiri, kishte në përbërje edhe Hykmete Bajrami, ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Edita Tahiri dhe koordinator i çështjes, Fejzulla Mustafa, udhëheqës i sektorit të transportit të mallrave të rrezikshme në Ministrinë e Infrastrukturës, Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit IBM në Doganën e Kosovës, Lulzim Krasniqi, këshilltar politik i ministres Bajrami dhe Zef Dedaj, udhëheqës i divizionit për politika tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.