Abrashi e Mustafa memorandum për mbjelljen e pishave nëpër rrugët e Kosovës
Prishtinë, 16 shtator 2020
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa, për pyllëzimin dhe shtimin e sipërfaqeve gjelbëruese në sipërfaqet rreth autoudhëve, rrugëve nacionale dhe rajonale.
Qëllimi i këtij memorandumi është pyllëzimi dhe shtimi i sipërfaqeve të reja gjelbëruese, që paraqesin interes për mjedisin dhe pyjet publike të Republikës së Kosovës dhe duke konfirmuar angazhimin institucional mes ministrive në arritjen e një prej objektivave, atij për mjedis të pastër dhe të gjelbëruar.
Ministri Abrashi tha se memorandumi ka për qëllim realizimin e pyllëzimeve dhe shtimin e sipërfaqeve gjelbëruese, në sipërfaqet për rreth autoudhëve, rrugëve nacionale dhe rajonale, të cilat janë nën menaxhimin dhe mbikëqyrjen e MI-së.
Sipas tij, pyllëzimi shërben edhe në ruajtjen e autostradës nga shembja e dheut, por edhe në ruajtjen e ambientit.
Ndërsa, ministri Mustafa bëri të ditur se ky memorandum i shërben shumë edhe mbrojtjes së mjedisit, duke pyllëzuar rrugët e Kosovës.