Nisin punimet për rehabilitimin e rrugës regjionale Kramovik-Xërxë në komunën e Rahovecit

21 shtator 2016


Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë së bashku me ministrin e Financave, Avdullah Hoti, kryetarin e Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, përuruan fillimin e punimeve në rehabilitimin e rrugës regjionale Kramovik-Xërxë.


Ministri Zharku uroi banorët e kësaj ane për rehabilitimin e kësaj rruge shumë të nevojshme për ta dhe shprehu vullnetin e Ministrisë dhe Qeverisë për të vazhduar me investime të tilla në përmirësimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës në këto anë. 


“Së bashku me ministrin Hoti, kryetarin Vehapi dhe me bashkëpunëtorë, sot, po përurojmë fillimin e punimeve të rrugës regjionale Kramovik-Xërxë. Është një investim i Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë prej afër gjysmë milioni euro. Rruga e cila do të rehabilitohet është në një gjatësi prej 11.8 kilometrash. Ne biseduam me kryetarin Vehapi dhe me ministrin Hoti që ky projekt të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm në përputhje me nevojat dhe kërkesat që paraqiten nga ky komunitet,  në mënyrë që të respektohen të gjitha standardet e nevojshme. Në komunën e Rahovecit ne kemi edhe disa projekte të tjera. Komuna po vazhdon projektin për rrugën qarkore dhe ne do ta përkrahim këtë projekt. Në hartim e sipër i kemi edhe dy rrathë të tjerë”, theksoi ministri Zharku.


Kryetari Vehapi falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për rehabilitimin e kësaj rruge dhe ritheksoi rëndësinë e madhe që ka kjo rrugë për banorët e kësaj ane. 

“Ky projekt është shumë i qëlluar për qytetarët e komunës së Rahovecit. Është një rrugë regjionale, e cila është shumë e ngarkuar jo vetëm prej qytetarëve të kësaj ane, por edhe të komunave përreth. Kjo është një nevojë e kahmotshme e këtij regjioni bujqësor me nevoja shumë të mëdha infrastrukturore. Kemi edhe projekte të tjera me Ministrinë e Infrastrukturës. Jemi në bashkëpunim të mire”, theksoi kryetari Vehapi.


Ndërsa ministri Hoti uroi banorët e kësaj ane për rrugën e investuar dhe premtoi në mbështetje të mëtejme të Ministrisë së Financave në projekte të tilla të rëndësishme.

“Ju përgëzoj për rëndësinë që i keni dhënë kësaj rruge. Është vërtetë rrugë e një rëndësie nacionale. Kjo rrugë lidh Klinën, Rahovecin dhe Prizrenin dhe ka një rëndësi të madhe për komunitetin, për lëvijzjen e mirë të qytetarëve”, theksoi ministri Hoti.


Projektet tjera, të cilat do të financohen nga Ministria e Infrastrukturës gjatë vitit 2016 në komunën e Rahovecit janë: ndërtimi i udhëkryqit në fshatin Xërxë dhe Krushë e Madhe, asfaltimi i rrugës qarkore në Rahovec në rrugën Regjionale dhe rruga Rahovec-Suharekë (lidhja me Autostradë). 

Foto Galeria

Video Galeria