Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti për vizitë ambasadorin e Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija
Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti për vizitë ambasadorin e Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, me të cilin bisedoi për shumë çështje, me theks në thellimin e bashkëpunimit midis Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës dhe ministrisë homologe të Kroacisë. Gjatë bisedës, ambasadori Vodopija ishte i interesuar për bashkëpunim sidomos me kompanitë kroate, te të cilat ekziston interesimi për investime dhe realizim projektesh të infrastrukturës rrugore në Kosovë, ku tashmë janë angazhuar disa kompani nga Kroacia dhe të cilat janë të interesuara për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në vitet në vijim.
Një nga çështjet e rëndësishme, për të cilat u bisedua gjatë takimit ishte implementimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në lëmin e transportit rrugor ndërkombëtar të njerëzve dhe mallrave, i cili është nënshkruar kohë më parë, me rastin e vizitës së kryeministres kroate, Jadranka Kosor në Kosovë, me implementimin e së cilës aktualisht duke u marrë grupet teknike të të dy vendeve.
Gjatë takimit u tha se Kroacia mbetet një mike e përkushtuar e Kosovës, zëri i së cilës në favor të vendit tonë do të dëgjohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në të gjithë organizmat e tjerë ndërkombëtarë, anëtar i të cilëve është shteti i Kroacisë.